KRYEFAQJA » LAJME » Ceremonia e mbylljes ul siparin e Rio 2016
Olympic Games 2016, Closing Ceremony
EPA/SERGEI ILNITSKY

Ceremonia e mbylljes ul siparin e Rio 2016

Lojërat e 31-ta Olimpike Verore, “Rio 2016”, që sikundër çdo veprimtari madhore sportive ndërkombëtare, u sollën për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, kanë ulur siparin e tyre në orët e para të mëngjesit me orën e Tiranës.

Pas 20 ditëve gara, pasi disa sporte e nisën konkurrimin pak ditë para ceremonisë së hapjes, festivali më i madh sportiv në planet është mbyllur me një tjetër ceremoni. Ashtu sikundër ceremonia e hapjes, e cila theu një sërë tabush sa i përket kostos, por edhe konceptit dhe mesazheve që përcolli, edhe ajo e mbylljes, siç pritej, ka patur risi të tjera. E konceptuar në trajtën e një feste pas Olimpiadës, kjo ceremoni e mbylljes ka patur si lajtmotiv të saj muzikën dhe numrat koreografikë.

Edhe parakalimi i sportistëve ka qenë i lirshëm dhe joformal, nën tingujt e muzikës dhe duke promovuar ekzistencën e përbashkët, pa kufinj dhe ndasi, përtej konkurrencës sportive. Natyrisht, nuk ka munguar pjesa protokollare, e kalimit të stafetës së organizimit të Lojërave Olimpike nga Rio De Zhaneiro tek Tokjo, kryeqytetit të Japonisë, që do të jetë mikpritëse e edicionit të 32-të më 2020-ën dhe që ka bërë edhe një prezantim të shkurtër, por të jashtëzakonshëm.