KRYEFAQJA » LAJME » “Çështja Çako”, KLD përplaset me Ministrin e Brendshëm
KLD shkarkon nga detyra kryetarin e Gjykatës së Gjirokastrës

“Çështja Çako”, KLD përplaset me Ministrin e Brendshëm

Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Ministri i brendshëm Saimir Tahiri shkëmbyen të mërkurën në mbrëmje deklarata të ashpra. Në fokusin e tyre ishte vendimi për pezullimin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, i dhënë nga gjyqtari Arjan Aliaj pas kërkesës së prokurorisë. Më parë ishin kryeministri Rama dhe ministri Tahiri, që e kishin sulmuar vendimin, duke vënë në dukje se ai ishte dhënë nga një gjykatës me një të kaluar mjaftë kompromentuese.
Reagimi i KLD
Por në reagimin e reagimin e KLD, që drejtohet nga presidenti Bujar Nishani, deklaratat e kryeministrit dhe ministrit të brendshëm, konsideroheshin si një arsenal i padenjë fjalësh ndaj një gjyqtari. “Deklarimet të tilla, të përcjella me një intensitet të tillë, në një moment të papërshtatshëm, për stadin në të cilën është procesi i miratimit të Reformës në Sistemin e Drejtësisë, jep mesazhin, përkundër pritshmërive, që kjo reformë mund të jetë vetëm një fasadë e dalë boje” vlerëson KLD. “Sjellja e sotme tregon qartë, se në të parin moment, që përfaqësues apo eksponentë të qeverisë u “atakuan” nga një vendim gjykate, i cili për më tepër është i ankimueshëm, u kalua në një turravrap përdhosjesh, poshtërimesh dhe kërcënimesh, ç’ka të ul pritshmërinë se Reforma në Drejtësi po kërkohet me aq ngulm, jo për nevojën që ka sistemi i drejtësisë me brishtësinë e tij për konsolidim, por për të kontrolluar politikisht këtë sistem” vazhdon më tej reagimi i KLD. Duke i kërkuar kryeministrit Rama dhe funksionarëve të lartë të ndalojnë menjëherë kërcënimet dhe presionin ndaj organeve të drejtësisë, KLD “… kërkon nga trupa gjyqësore të vijojë veprimtarinë e saj, duke mos u ndikuar nga asnjë lloj ndërhyrje dhe kërcënimi në ushtrimin e detyrës, duke garantuar kështu funksionimin e shtetit të së drejtës, ashtu si dhe duke patur në fokus të punës, respektimin e procesit të drejtë gjyqësor, dhe garantimin kurdoherë të një transparence dhe përgjegjshmërie maksimale në përmbushjen e detyrave”.
Reagimi i Tahirit
Me ironi është kundërpërgjigjur ministri i brendshëm, Saimir Tahiri. “Dua të përshëndes deklaratën e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, sipas meje një nga deklaratat më të sinqerta në mbrojtje të gjyqtarit Arjan Aliaj” tha ai në një dalje para medias. “Unë nuk besoj se do të kishte pasur mundësi që KLD të demaskohej kaq hapur në mbrojtjen e një gjyqtari që ka dhënë vendime për të liruar vrasës, për të liruar përdhunues dhe që është larguar nga detyra për shkak të këtyre vendimeve dhe që është rikthyer për t’i shërbyer pushtetit politik” shtoi më tej zoti Tahiri.
Sipas tij “KLD i dha edhe një herë mundësi shqiptarëve për t’u treguar fytyrën e vërtetë të drejtësisë që nuk duam dhe drejtësisë që duam të shkundim nga themelet për të garantuar se drejtësia duhet të funksionojë jo sipas pushtetit politik, as sipas pasurisë, as sipas konjukturës dhe as sipas korporatës, por vetëm sipas ligjit dhe të drejtës”. “Ndaj e përshëndes, KLD-në për fytyrën e vërtetë që tregoi duke mbrojtur një gjyqtar deri dje të shkarkuar dhe të rimarrë në punë për t’i shërbyer pushtetit politik atëherë kur thirret ushtari për të shërbyer ndaj porositësve” përfundoi po me ironi ministri i brendshëm Saimir Tahiri.
Atmosfera
Këto zhvillime shihen në konteksin e zhvillimeve të përgjithshme politike në Shqipëri, në fokusin e të cilëve është miratimi i Reformës në Drejtësi. Ato vijnë pas reagimit sot të SHBA dhe BE, të cilët ndërsa shprehën keqardhjen për dështimin e takimit Rama – Basha, i projektuar për arritjen e konsensusit, mbështetën qeverinë në hapat që po hedh për miratimin e reformës. Opozita nga ana e saj ka paralajmëruar se çdo përpjekje për të blerë votat për miratimin e reformës do të çonte në djegien e mandateve të deputetetëve të saj. Por edhe SHBA e BE, nga ana e tyre  kanë paralajmëruar se “Do të jetë përgjegjësia e anëtarëve individualë të Parlamentit të vendosin nëse duan të mbajnë sistemin e sotëm të drejtësisë të korruptuar dhe të politizuar, apo nëse do ta mbështesin këtë reformë”. Ndërkaq në sfond është hedhur dhe ideja e miratimit të reformës me anë të një referendumi, ide që pritet të zhvillohet nga ecuria e ngjarjeve.