KRYEFAQJA » LAJME » “Çështja çame”-debat në parlament
"Çështja çame"-debat në parlament
Foto arkivi

“Çështja çame”-debat në parlament

“Çështja çame” u bë të enjten temë qëndrore në parlamentin shqiptar. Shkak u bë pakënaqësia e shprehur nga nënkryetari i parlamentit dhe kreu i PDIU Shpëtim Idrizi, lidhur me vizitën e fundit të kreut të parlamentit Ilir Meta në Athinë. “Kjo çështje kërkon një dialog dhe një mirëkuptim dhe një mirëbesim, i cili duhet të ndërtohet çdo ditë dhe jo të vritet, qofte edhe padashje, qoftë edhe për shkak të padurimit me të drejtë të shumë prej përfaqësuesve të këtij komunitetit të jashtëzakonshëm dhe me shumë vlera. Nuk mjafton të kesh një të drejtë, por ka shumë rëndësi si e parashtron këtë të drejtë” tha nga ana e tij zoti Meta. “Jua kam kërkuar dhe më përpara, po ua them dhe tani, pastaj është e drejta juaj për të bërë politikën që ju e gjykoni më mirë, qoftë edhe grupimi që përfaqësoni, për ta paraqitur në mënyrë sa më konstruktive këtë çështje” ju drejtua ai deputetëve të PDIU që janë me origjinë çame.
Kreu i PDIU-së shpëtim Idrizi, i cili më parë ishte betuar solemnisht se nuk do të lejonte ngritjen e varreve të ushtarëve grekë në Shqipëri për sa kohë Greqia nuk do të lejonte ngritjen e varreve të çamëve të vrarë nga andartët grekë, tha se do të dorëzonte në parlament një dokument që ta detyronte politikën shqiptare që çështjen çame të jetë qëndrore në bisedimet me Athinën zyrtare.
Në debat është përfshirë edhe ministri i jashtëm Ditmir Bushati, mjaft i kritikuar me qëndrimet e tij nga PDIU. “Kam dëgjuar shpesh një shprehje dhe nuk e kuptoja çfarë ishte, që “çam nuk lind, por bëhesh” dhe sa më shumë do ta trajtojmë ne këtë çështje dhe sa më shumë do të punojmë për adresimin e kësaj çështjeje, mund t’ju them që kjo çështje është një nga prioritetet kryesore të identitetit dhe të ruajtjes së identitetit tonë kombëtar” tha zoti Bushati.
Por kreu i PBDNJ që mbron interesat e minoriteteve në Shqipëri, veçanërisht atij grek, Vangjel Dule tha se “Menyra e prezantimit të politikës së jashtme në kundërvënie me shumë faktorë politikë dhe parlamentarë është shërbimi më i keq që mund t’u bëhet interesave kombëtare të një vendi nga ministri Jashtëm. Këtë e bëtë ju sot” ju drejtua ai ministrit Bushati.