KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Çështja ÇEZ, qeveria akuzon Boden, Rulin dhe Mimën për 414 milionë euro
"Afera CEZ", Gjykata e Lartë rrëzon Kontrollin e Lartë të Shtetit

Çështja ÇEZ, qeveria akuzon Boden, Rulin dhe Mimën për 414 milionë euro

Tre ish ministrat më të rëndësishëm të kabinetit Berisha, Ridvan Bode i financave, Genc Ruli i ekonomisë dhe Florion Mima ministër i ekonomisë, janë kallxuar në prokurori nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë për një dëm me vlerë 414 milionë euro. Ai përfshin shkelje në privatizimin e OSHEE, favorizimin e mëtejshëm të kompanisë çeke ÇEZ gjatë aktivitetit të saj dhe mosmarrjen e masave të duhura në mbrojtje të interesave të shtetit shqiptar, pas heqjes së licencës për ÇEZ Shpërndarje. Bashkë me ta janë kallxuar edhe ish-zv.ministrat Enno Bozdo dhe Neritan Alibali, ish-këshilltarja e kryeministrit Suzana Guxholli dhe ish-drejtoresha e përgjithshme të shërbimeve tregtare në ish-METE Mimoza Vokshi, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar në rrjetin social Facebook lidhur me kallzimin penal të 3 ish-ministrave të qeverisë Berisha. Në këtë reagim Basha shkruan se qeveria kishte shansin për një hetim të drejtë dhe të pavarur për këtë çeshtje nga dita e parë deri në ditën e fundit, po nuk e lejoi atë sepse e vërteta do të nxirrte në dritën e diellit vjedhjen e shekullit. Sipas zotit Basha ky denoncim është hedhje tymi për të mbuluar gjurmët.

Kallximi ishte paralamëruar kohë më parë gjatë debatit midis maxhorancës së majtë dhe opozitës së djathtë për aferën energjitike ÇEZ. Qeveria e kryeministrit Rama akuzon paraardhësit e saj për korrupsion, e po për të njëjtën gjë opozita akuzon qeverinë. Shifrat që kjo e fundit sjell si humbje për shtetin shqiptar është mbi 600 milionë euro, por qeveria duket se synon të provojë të kundërtën.
Megjithatë kjo është hera e parë që qeveria e kryeministrit socialist Edi Rama, dy vjet pas ardhjes në pushtet, akuzon për afera korruptive figura të nivelit më të lartë të opozitës. Disa prej tyre i kanë hedhur me kohë poshtë akuzat.