KRYEFAQJA » LAJME » Çështja e kryetarit, pas polemikave Rama – Blushi, kongresi i socialistëve zgjedh referendumin
Çështja e kryetarit, pas polemikave Rama - Blushi, kongresi i socialistëve zgjedh referendumin

Çështja e kryetarit, pas polemikave Rama – Blushi, kongresi i socialistëve zgjedh referendumin

Socialistët shqiptarë do të zhvillojnë më 9 prill një referendum lidhur me mandatin e kryetarit të PS, por ende mbetet e paqartë pyetja konkrete e këtij referendumi. Vendimi erdhi pasi Kongresi i PS ka miratuar me votim të hapur, vetë me tre vota kundër, ndryshimet në Statutin e PS, duke provokuar polemika veçanërisht mes kreut të PS Edi Rama dhe kundërshtarit të tij Ben Blushi. Sipas ndryshimeve nëse PS fiton zgjedhjet, mandati i kryetarit konfirmohet, në të kundërt ai jep dorëheqjen.
Zoti Blushi këmbënguli se “Ky statut që ne miratuam hyn në fuqi për zgjedhjet e ardhshme për kryetar të PS dhe për çdo normi që do na sanksionojë. Sot po ndërpresim një normë që anulon në vitin 2016 zgjedhjet që duhet të ishin bërë në 2013” tha me këmbëngulje deputeti socialist, ndërsa lëshoi akuza të rënda ndaj zoti Rama.
Por kreu i PS Edi Rama tha se “Vota e marrë për të qeverisur është e barazvlefshme me rikonfirmimin e kryetarit të partisë. Sepse partia merr një proces një anëtar një votë për të zgjedhur kryetarin dhe nuk ka sens të futet në zgjedhje pasi kryetari është bërë kryeministër” shtoi ai. “Unë ju kërkoj që kongresi të japë miratimin që kjo çështje mos jetë çështje debati me alibira dhe sebebe që bëjnë mu dhe as me çështje argumentash që nxjerrin njëri-tjetrin, por të jetë një çështje që e zgjidhim me votim të gjithë socialistët në të gjithë Shqipërinë” tha zoti Rama duke nënvizuar sërish idenë e tij për referendum.
Deputetë të ndryshëm debatuan me nerv pro dhe kundër rreth kësaj çështjeje, derisa shumica vendosi mbajtjen e referendumit lidhur me mandatin e kryetarit të partisë. Vendimi u kundërshtua ashpër nga zoti Blushi, pasi sipas tij referendumet nuk zëvëndësojnë zgjedhjet. Por zoti Rama tha se referendumi është kontribut i rëndësishëm në jetën e PS. Unë synoj demokratizimin e jetës së partisë, tha ndër të tjera kreu aktual i socialistëve, njëherësh dhe kryeministri i vendit.