KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Çështja e pronave, PD ankohet në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut
Çështja e pronave, PD ankohet në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut

Çështja e pronave, PD ankohet në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut

PD e opozitës është ankuar në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, pas deklaratave të kryeministrit Rama, sipas të cilave qeveria shqiptre ka arritur një marrëveshje me Gjykatën e Strasburgut për të mos shqyrtuar më çështje të pronave të qytetarëve shqiptarë kundër shtetit. Kjo bëhet e ditur në një njoftim të PD, i cili publikon edhe letrën që kreu i kësaj partie Lulzim Basha i ka dërguar më 7 qershor presidentit të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, Guido Raimondi. Sipas njoftimit, deklaratat e zotit Rama janë bërë në parlament pas takimit që kanë patur më 9 maj në Strasburg, dy prej ministrave të qeverise shqiptare.
Kreu i opozitës Basha vlerëson se kjo deklaratë e kryeministrit Rama, përbën një ndërhyrje të hapur përpara vendimit të Gjykatës Kushtetutese të Shqipërisë në lidhje me ligjin e ri të pronave. Sipas zotit Basha ky qëndrim i kreut të qeverisë bëhet për ti ushtruar presion ndaj Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë dhe njëkohësisht për të dëmtuar kredibilitetin e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në opinionin publik shqiptar.
Në letrën e zotit Basha drejtuar Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, nënvizon se në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe rregullat e Gjykatës, nuk parashikohet asnjë rast që njëra prej palëve të arrijë marrëveshje të mundshme me Gjykatën në favor të saj, përpara shqyrtimit të çështjes.
Zoti Basha e siguron zotin Raimondi se nuk kërkon ta bëjë Gjykatën e Strasburgut pjesë të debatit të brendshëm politik, dhe shpreh besimin e palëkundur në paanshmërinë e Gjykatës së të Drejtave të Njeriut dhe në shqyrtimin e pavarur e profesional të çështjeve prej saj.