KRYEFAQJA » LAJME » “Çështja e vetingut”, LSI përjashton deputetin
"Çështja e vetingut", LSI përjashton deputetin

“Çështja e vetingut”, LSI përjashton deputetin

Grupi parlamentar i LSI, partia e dytë më e madhe e koalicionit qeveritar, vendosi të hënën të përjashtojë nga rradhët e tij deputetin Përparim Spahiu. Vendimi erdhi pas deklaratave të tij se nuk do të votojë Reformën në Drejtësi në rast se në të parashikohet që vetingu, udhëheqja e procesit të vlerësimit të gjyqtarëve, do të bëhet nga ndërkombëtarët. “E kuptoj dhe jam dakord që sovranitetin e vendit tonë të përbashkët duhet ta ndajmë me NATO, me Komisionin Europian dhe shpresoj edhe me Bashkimin Europian. Por nuk jam gati të votoj ndarjen e sovranitetit me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit. Çfarë përfaqësojnë këta?!” pyeste deputeti i LSI. Duke bërë të njohur vendimin në një deklaratë për mediat, kreu i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili, u shpreh se vendimi u diktua nga qëndrimet e përsëritura personale të zotit Spahiu, të cilat nuk kanë qenë në pajtim me vendimet e kryesisë së partisë dhe grupit parlamentar të LSI. ” LSI do vazhdojë në mënyrë konseguente të punojë për miratimin e reformës në drejtësi me transparencë dhe konstruktivitet sipas standarteve të Venecias, larg emocioneve dhe llogarive afatshkurta partiake dhe elektorale” tha zoti Vasili. Por në një reagim në rrjetet sociale deputeti i LSI shpreh besnikërinë e  tij . “Pavarësisht vendimit të grupit, vota ime ka qenë dhe do të jetë e LSI-së”, shkruan zoti Spahiu në Twitter.
Qëndrimi i deputetit të LSI shkon njësh me atë të shfaqur javën e fundit edhe nga disa prej figurave më të larta të PD ish kryeministrit Berisha dhe ish kryetares së parlamentit Topalli. “Unë jam që ata të jenë vëzhgues, që ata të shohin se si veprojnë shqiptarët, nëse zbatojnë ligjin apo maliqin. Por jo për ta bërë ata vetingun. Për këtë nuk jam” tha zoti Berisha javën e kaluar në parlament.
Pas këmbënguljes së opozitës për zbatimin e rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias në përzgjedhjen e institucioneve kryesore të drejtësisë shqiptare, çështja e vetingut pritet të kthehet në një tjetër temë e debatit, në polemikat për miratimin e Reformës në Drejtësi. Më parë kreu i mazhorancës Edi Rama ka paralajmëruar se nëse ka një çështje, e cila nuk mund të preket, ky është vetingu, procesi i kontrollit të gjyqtarëve e prokurorëve. “Dua të jem shumë i qartë, edhe pse në politikë kurrë nuk thuhet kurrë: Unë nuk do ta votoj kurrë Reformën në Drejtësi, nëse preket kjo pikë. O do të bëjmë Reformë në Drejtësi, o kurrë mos u bëftë reforma!” ka thënë zotit Rama.