KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » “Çështja Fullani” në Gjykatën e Lartë
Arrihet marrëveshja, BKH do të varet nga Prokuroria e Përgjithshme

“Çështja Fullani” në Gjykatën e Lartë

Prokuroria shqiptare ka çuar në Gjykatën e Lartë “Çështjen Fullani”. Gati dy javë më parë ish guvernatori i përgjithshëm i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Apelit. Ai ishte akuzuar për shpërdorim detyre me pasojë vjedhjen e 713 milionë lekëve nga thesari i BSH, vjedhje që u zbulua pak më shumë se një vit më parë. Akuzë tjetër që rëndonte ndaj tij, ishte edhe ajo për blerjen e dyshimtë nga ana e institucionit që ai drejtonte të Hotel “Dajtit”, simbolit të hotelerisë shqiptare, në vlerën e rreth 30 milionë eurove si dhe për degradimin e tij. Prokuroria kërkoi pesë vjet burgim, por në aplikim të gjykimit të shkurtuar, parashikohej që ish guvernatori të dënohej me 3 vjet e katër muaj heqje lirie.
Por gjykata dha një vendim të kundërt. “Pasi pamë e shqyrtuam procesin, Ardian Fullani shpallet i pafajshëm, t’i hiqet masa e detyrimit me paraqitje, shpenzimet proceduriale i ngarkohen prokurorisë”, deklaroi në atë kohë kreu i trupit gjykues Artan Gjermeni.
Procesi gjyqësor ndaj zotit Fullani për vjedhjen e 713 milionë lekëve, vjedhje që konsiderohet si nga më të mëdha në historinë e BSH, u zhvillua vetëm në tre senaca. Deri tani lidhur me këtë dosje, janë dënuar 15 të pandehur, të gjithë zyrtarë të niveleve të ulët në BSH. Me interes pritet procesi gjyqësor ndaj ish kryeinspektores Elivar Golemi, e cila një vit më parë u ndalua bashkë me zotin Fullani.
Prej një viti “Çështja Fullani” ka qenë ndër më të debatueshmet midis maxhorancës së majtë dhe opozitës së djathë në konteksin e luftës kundër korrupsionit. Por vendimi i pafajsisë për ish guvernatorin i dhënë në fillim të tetorit, më shumë u komentua nga opozita e cila e konsideroi si vënie në vend të drejtësisë pas hakmarrjes së kryeministrit Rama.