KRYEFAQJA » LAJME » “Çështja Prenga” preokupon Brukselin

“Çështja Prenga” preokupon Brukselin

“Çështja Prenga” ka mbërritur në Bruksel. Në vijim të takimeve të nivelit të lartë, ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri ka zhvilluar të mërkurën një takim me Europarlamentarin Knut Fleckenstein, njëkohësisht Raporter për Shqipërinë. “I kërkova ministrit si është çështja e zotit Prenga, sepse kjo është një nga lajmet që na janë referuar për shembull. Ne ramë dakord që palët të vijojnë dialogun për dekriminalizimin. Sepse shqetësimi i këtushëm është që ky ligj nuk po zbatohet” tha zoti Fleckenstein. “Shpresoj të mos ketë bojkot të Parlamentit, por dialog mes palësh” shtoi ai.
Nga ana e tij ministri i brenshëm shqiptar Saimir Tahiri tha se “çështja nuk është tek emrat konkretë, por te vullneti për të miratuar aktet nënligjore të ligjit. Në mënyrë që ne të vendosim një standard. Dhe ky standard t’i dedikohet kujtdo, e t’i bindet kushdo. Zgjidhja në këtë rast nuk është një mision politik me emra të veçantë, por është miratimi i akteve nënligjore” tha ai. Zoti Tahiri shtoi se “opozita është e ftuar në tryezën parlamentare: për të zgjidhur dhe miratuar sa më shpejt aktet nënligjore që do të bënin efektiv zbatimin e ligjit”. “Unë besoj kjo është mënyra më e mirë për të zgjidhur këtë problem” tha ai.
Ndërkohë zoti Fleckenstein ka deklaruar se mendon ta pasurojë draftrezolutën për Shqipërinë. “Mundet. Do e shoh me vëmendje. Ministri solli në vëmendje disa pika kyçe të cilat unë do i pasqyroj në raportim” tha ai.