KRYEFAQJA » LAJME » “Check up”-i, debat në komisionin parlamentar të shëndetësisë
"Check up"-i, debat në komisionin parlamentar të shëndetësisë
Foto ilustruese

“Check up”-i, debat në komisionin parlamentar të shëndetësisë

Kontrolli shëndetësor i popullatës i njohur me emrin “Check up” është debatuar me tone të ashpra të martën në komisionin parlamentar të shëndetësisë. Protagonistë u bënë ministri i shëndetësisë Ilir Beqja dhe kryetarja e komisionit të Shëndetësisë, deputetja demokrate Albana Vokshi.
Sipas zotit Beqja numri i personave të kontrolluar është rreth 250 mijë vetë. “Konçesionari ka faturuar për 9 muaj, diku te 660 milionë lekë të reja” tha ministri.
Por në analizën e zonjës Vokshi ministri Beqja ka abuzuar me këtë konçesion dhe duhet të japi dorëheqjen. “Kjo përkthehet në 360 mijë persona. Pra, ju i keni dhënë koncesionarit 110 mijë persona më shumë pa bërë asgjë koncesionari. Uroj që deputetët ta kenë kuptuar abuzimin që keni bërë. Kjo ishte ajo që doja të dëgjoja. 110 mijë check up më shumë i janë dhënë koncesionarit pa dhënë asgjë. 1.7 miliardë lekë pa bërë asgjë. Ju tani duhet të jepni dorëheqjen. Si mund të jeni këtu e të më shpjegoni që japim 1.7 miliardë, është për të vënë duart në kokë!” tha deputetja e opozitës Vokshi.
Nga ana e tij ministri Ilir Beqja tha se në këtë shumë përfshihet logjistika e kontrollit shëndetësor. “Logjistika shkon si për një kampion si për disa kampione. Kjo kontratë ka rinovuar qëndrat shëndetësore” tha zoti Beqja. Alarmit të demokratëve për shtimin e spekulimeve me zgjerimin e grupmoshave që marrin pjesë në “Check up”, zoti Beqja ju përgjigj se nuk do të ndikojë në shtimin e buxhetit të shëndetësisë.