KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Cikloni Winston godet Fixhin, janë të paktën 20 të vdekur
Cikloni Winston godet Fixhin, janë të paktën 20 të vdekur

Cikloni Winston godet Fixhin, janë të paktën 20 të vdekur

Janë të paktën 20 persona të vdekur në ishujt Fixhi si shkak i ciklonit Winston, më i fuqishmi i regjistruar ndonjë herë në historinë e arkipelagut. Rreth 6.000 persona janë larguar nga shtëpitë. Bilanci i viktimave mund të rëndohet, bëjnë të ditur autoritetet lokale.

Me erëra që arrinin deri në 325 kilometra në orë, mes së shtunës dhe së dielës cikloni ka bërë rrafsh me tokë disa shtëpi, ka shkatërruar infrastruktura dhe ka detyruar banorët e terrorizuar të strehohen në qendra të posaçme për urgjencat.

Fotografitë e marra nga lart tregojnë fshatra të shkatërruar: “Pamjet e ardhura nga vëzhgimet ajrore në zonat e goditura të vrasin zemrën dhe nuk lënë dyshime për egërsinë e këtij cikloni”, tha koordinatori i OKB-së për ishujt Fixhi, Osnat Lubrani. “Fixhi ka një kohë shumë të gjatë përpara për të marrë veten nga kjo katastrofë e madhe”, shtoi ai.

Winston është i vetmi ciklon i kategorisë së 5-të që ka goditur ndonjëherë Fixhin, arkipelagun që jeton falë turizmit dhe që ka një popullsi prej 900.000 banorësh.