KRYEFAQJA » LAJME » Cilët janë katër ministrat e rinj të kabinetit Rama?

Cilët janë katër ministrat e rinj të kabinetit Rama?

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur të hënën ndryshimet ne kabinetin e tij. Postin më të rëndësishëm në qeverinë e tij, atë të Ministrit të Brendshëm, ai ja besoi deputetit socialist Fatmir Xhafaj. Zoti Xhafaj njihet si një nga njerëzit kryesorë të maxhorancës që ndërmori Reformën në Drejtësi. Ndërkaq kryetarja e Forumit të Gruas së Partisë Socialiste Olta Xhaçka do të drejtojë Ministrinë e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë.  Ogerta Manastirliu deri më tani drejtuese e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” do të jetë ministrja e re e shëndetësisë, ndërsa deputeti socialist Eduard Shalsi do të jetë ministër i Pushtetit Vendor.

Më poshtë po sjellim portrete të ministrave të rinj.

Fatmir Xhafaj, Ministër i Brendshëm

Fatmir Xhafaj, do të jetë në krye të ministrisë së Brendshëm, pas largimit të Sajmir Tahirit. I konsideruar si një nga njerëzit më me peshë të PS-së, Xhafaj, drejtoi komisionin e Reformës në Drejtësi dhe për këtë Kryeministri Rama edhe publikisht ia ka njohur meritën në këtë proçes. Zoti Xhafaj ka kryer studimet në drejtësi në Universitetin e Tiranës si dhe kualifikime ndërkombëtare në këtë fushë në Romë, Bruksel, Londër. Gjatë viteve 1982-1986 ka qënë i përfshirë në sistemin e drejtësisë si jurist dhe në vitet 1999- 2001, ka qënë në krye të zyres së tij avokatore. Sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Fatmir Xhafaj ka shërbyer në vitet 1997-1999. Zoti Xhafaj ka mbajtur poste ministrore në 2002 si Ministër i Territorit dhe Turizmit ndërsa në 2003-2005 atë të Ministrit të Drejtësisë.  Prej 4 legjislaturash, zoti Xhafaj është deputet i PS dhe prej 2013 kreu i komisionit të çështjeve ligjore, administratës publike dhe të drejtave të njeriut.

Olta Xhaçka, Ministër i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë

Olta Xhaçka ministria e re e Punës është diplomuar në Shkenca Politike dhe Marëdhënie Ndërkombëtare, ndërsa masterin e diplomuar me Titull Nderi në “Clarc University” në Shtetet e Bashkuara. Zonja Xhaçka ka qënë aktiviste e shoqërisë civile në fushën e të drejtave të njeriut dhe mirëqeverisjes si dhe hartuese projektesh për OJF në SHBA. Për disa vite Olta Xhaçka ka qënë pedagoge pranë Universitetit “New York” në Tiranë. Zonja Xhaçka u zgjodh deputete e Partisë Socialiste në dy legjislaturat e fundit dhe është anëtare e komisionit të Punës pranë Kuvendit. Njëkohësisht është kryetarja e Forumit të Gruas së Partisë Socialiste.

Ogerta Manastirliu, Ministre e Shëndetësisë

Ogerta Manastirliu do të jetë ministria e re e Shëndetësisë. Që prej shtatorit të vitit 2013 ka drejtuar Qendrën Spitalore Universitare. Zonja Manastirliu me doktoraturë në Kimi, prej 2011 është aktive në jetën akademike si pedagoge në Universitetin e Tiranës. Më herët Ogerta Manastirliu, në vitet 2006-2011 ka qënë pjesë e administratës si drejtoreshë e shërbimeve në bashkinë eTiranës, kur Edi Rama, ishte në krye të bashkisë.

Eduard Shalsi, Ministër i Pushtetit Vendor

Ministri i Pushtetit Vendor, Eduard Shalsi është diplomuar në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, por gjithashtu ka një diplomë nga Akadema Ndërkombëtare e Bankave në Gjermani. Për 7 vite deri në 2003, zoti Shalsi ka qënë pjesë e sistemit bankar dhe në vitet 2003-2004 drejtori i INSIG. Angazhimin Politik zoti Shalsi e ka patur në vitet 2004-2008, kur bashkia e Tiranës drejtohej nga Edi Rama. Ai kreu detyrën e Drejtorit të Kabinetit. Në vitet 2008-2009 Eduard Shalsi ishte nënkryetar i Bashkisë së Tiranës. Zoti Shalsi është zgjedhur deputet i PSSH-së në Legjislaturën e VIII , ndërsa aktualisht është kryetar i Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin.