KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Çlirimi i Tiranës, Veliaj : “Historia kërkon sakrifica”

Çlirimi i Tiranës, Veliaj : “Historia kërkon sakrifica”

U përkujtua sot 72-vjetori i çlirimit të Tiranës. Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, kryebashkiaku Erion Veliaj, përfaqësues të tjerë të politikës dhe veteranë të luftës zhvilluan homazhe tek monumenti Ushtari i Panjohur në nder të dëshmorëve të rënë gjatë luftës.

Në fjalën e tij përshëndetëse kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, vlerësoi 17 Nëntorin si një nga ngjarjet më të rëndësishme, jo vetëm për Tiranën, por për gjithë Shqipërinë. “Është e jashtëzakonshme të shohësh një ndërthurje brezash dhe gjeneratash, nga veteranë të nderuar të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, e deri te të rinjtë dhe të rejat e kryeqytetit, që të nderojnë sot 17 Nëntorin, këtë ditë të madhe, jo vetëm për Tiranën, por për të gjithë vendin.

Ndërsa, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj theksoi se kjo datë është e rëndësishme për kryeqytetin, pasi nderojmë bijtë dhe bijat të cilët u ngritën mbi ndasitë dhe problemet e brendshme për të çliruar kryeqytetin. “Jam shumë i lumtur që në këtë ditë kujtojmë me shumë mirënjohje të gjithë familjet tiranase, ata që u përfshinë në betejën për çlirimin e Tiranës. Ju falenderoj me zemër, është një moment për të kujtuar disa mesazhe që koha i vjetron; janë disa mesazhe që mbeten po aq të freskëta edhe kur kalojnë 72 vite. Mesazhi i freskët që na vjen nga ajo kohë është që për kryeqytetin, për vendin, historia kërkon sakrifica”, tha Veliaj. Ai theksoi se vepra e tyre duhet të jetë shembull dhe frymëzim për brezin e tanishëm.

Në fund të ceremonisë Meta e Veliaj vunë theksin tek e ardhmja europiane e Shqipërisë.

Kryebashkiaku Veliaj mori pjesë edhe në një konferencë të mbajtur në Muzeun Kombëtar në përkujtim të Çlirimit të Tiranës.