KRYEFAQJA » LAJME » Çollaku: Kryefjala e vitit 2016, zbatimi i MSA-së

Çollaku: Kryefjala e vitit 2016, zbatimi i MSA-së

Java që lamë pas u karakterizua me dy ngjarje të rëndësishme që mblodhën në Kosovë përfaqësues të lartë të institucioneve të Bashkimit Evropian. Bëhet fjalë për takimin e parë konstituiv të Komisionit Ndër-Parlamentar të Stabilizim-Asociimit si dhe Konferencën e nivelit të lartë për zbatimin e MSA-së. Këto dy ngjarje, ministri i Integrimit Evropian Bekim Çollaku, i ka cilësuar si tejet të rëndësishme të cilat i japin shtytje dhe orientim strategjik reformave që do të ndërmerren në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, duke thënë se zbatimi i saj është “kryefjala e vitit 2016”. “Komisioni Parlamentar i Stabilizim Asociimit, i cili pati takimin e parë të hënën që shkoi, ka rol të pazëvendësueshëm në dinamizimin e procesit të integrimit evropian përmes këshillimit dhe mbikëqyrjes së mekanizmave implementues të MSA-së, kultivimit të konsensusit dhe llogaridhënies, rritjes së bashkëpunimit ndërmjet të gjitha palëve të interesuara, dhe informimin e publikut rreth procesit në tërësi. Jam shumë i sigurt se sikurse deputetët e Kuvendit të Kosovës, ashtu edhe ata të Parlamentit Evropian do të vazhdojnë të tregojnë mbështetje për zbatim të kësaj marrëveshje dhe në përgjithësi për agjendën evropiane të vendit tonë”, ka thënë Çollaku. Nga ana tjetër, ai ka komentuar edhe konferencën e nivelit të lartë në mes të BE-së dhe Kosovës, me temën për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit si stimuluese e ekonomisë, zhvillimit dhe krijimit të vendeve të punës, e cila sipas tij, mblodhi përfaqësues të institucioneve vendore, institucione të BE-së, organizata të shoqërisë civile dhe asociacione të biznesit dhe kompani nga BE-ja dhe Kosova me qëllim që të diskutohet ndikimi, mundësitë dhe përfitimet kryesore që ofron MSA-ja për ekonominë e vendit.