KRYEFAQJA » LAJME » Daja me hapa galopantë

Daja me hapa galopantë

15 ndeshje, ku ka korrur plot 10 fitore, ka marrë 4 barazime dhe është mundur vetëm një herë, e kanë shndërruar Tiranën e udhëhequr nga trajneri Ilir Daja në një skuadër të denjë për një vend në Kupat e Evropës sezonin e ardhshëm. Në më pak se 4 muaj trajneri i bardhebluve ka arritur ta bëjë realitet filozofinë e lojës së tij, atë të një skuadre pragmatiste që sulmon për të kërkuar fitoren.
Kur u emërua në krye të stolit bardheblu më 28 tetor të vitit të shkuar, Ilir Daja nuk kishte iluzione për punën e tij. “Unë nuk kam shkop magjik për ta nxjerrë Tiranën nga kriza”, pati deklaruar Daja, që do të pasonte tek Tirana të larguarin Shkëlqim Muça, për të rikthyer besimin tek ekipi dhe tek fitorja, pasi në 8 javët e para bardheblutë kishin grumbulluar vetëm 10 pikë.
Ish-“kampion” me Dinamon, Daja e mori drejtimin e Tiranës në një periudhë jo shumë të mirë. Pas tetë javëve të para të Kategorisë Superipore, diferenca me kryesuesit ishte e madhe dhe titulli “kampion” ishte shumë larg. Por tanimë, pas 15 ndeshjesh, ku ka korrur plot 10 fitore, ka marrë 4 barazime dhe është mundur vetëm një herë, trajneri i Tiranës ka arritur ta bëjë realitet filozofinë e lojës së tij.
Ilir Daja pati kërkuar nga skuadra të ndryshojë mendësinë e të luajturit, duke ndërthurur pragmatizmin me lojën sulmuese. Në fakt, më pragmatiste se kaq kaq, Tirana nuk mund të ishte. Nën drejtimin e Ilir Dajës, bardheblutë kryeqytetas kanë bërë përpara me hapa galopantë. Nga 39 pikë të mundshmet në kampionat, Tirana ka marrë 28, duke pësuar vetëm një humbje, atë të 30 nëntorit të vitit të shkuar në kryeqytet me Skënderbeun.
Jo vetëm kaq, po ngjitja dhe stabilizimi në vendin e tretë të renditjes, duke e hedhur madje vështrimin edhe drejt Partizanit të vendit të dytë, flet për ndryshimet e mëdha që trajneri Daja ka bërë tek 24-herë kampionët e Shqipërisë. Tanimë radhën e ka Flamurtari, në ndeshjen e kthimit të çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë, ku kryeqytetasit e kanë fituar minimalisht ndeshjen e parë.
Pastaj, më 22 shkurt, është radha e sfidës me Skënderbeun në kryeqytet, ku mbetet për t’u parë nëse Tirana e Dajës me të vërtetë është shndërruar në material pretendenteje.