KRYEFAQJA » LAJME » Danielson këmbëngul: Procesi i vetingut të fillojë dhe ta shohim të bëjë përpara!

Danielson këmbëngul: Procesi i vetingut të fillojë dhe ta shohim të bëjë përpara!

Kristian Danielson Drejtori për Zgjerimin në Komisionin Europian po viziton Shqipërinë. Në një intervistë ekskluzive për RadioTelevizionin Shqiptar, zoti Danielson ka folur për rekomandimin e kushtëzuar për Shqipërinë, Reformën në Drejtësi, padurimin e ndërkombëtarëve për të parë në zbatim Ligjin e Vettingut, sfidat që lidhen me ndëshkimin e zyrtarëve të lartë, zgjedhjet, krimin, korrupsionin dhe debatin për kanabisin. Intervista është realizuar nga Drejtori i Njësisë së Emisioneve Tematike dhe Lajmeve Bledar Zaganjori.

Z.Bledar Zaganjori: Zoti Danielson, Çfarë do të thotë propozimi më i fundit i Komisionit për Shqipërinë? A është kjo një formulë e re që Komisioni dhe Këshilli  përdorin me vende si Shqipëria, pra kushtëzimi?

Z.Kristian Danielson: Mendoj se ajo që kemi tani në tryezë është konfirmimi i përpjekjeve që ka bërë Shqipëria gjatë një periudhe mjaft të gjatë dhe është hapi i  fundit. Është konfirmimi i përpjekjeve të reformave në fusha të rëndësishme, qoftë lufta kundër korrupsionit, qoftë lufta kundër krimit të organizuar, qoftë çështja e reformës së administratës publike, por në veçanti Reforma e Drejtësisë që po zhvillohet tashmë. Dhe ajo çka bën Komisioni është vlerësimi i vendeve në bazë të meritës së tyre. Dhe për Shqipërinë ajo çka kemi sugjeruar dhe ajo çka kemi në rekomandimin tonë është vlerësimi ynë për meritën që ka sot Shqipëria. Me terma konkretë, është një rekomandim për të hapur negociatat, por është një rekomandim me kushtëzim, i cili do të varet nga hapat e ardhshëm në nisjen e reformës së drejtësisë, zbatimin e saj dhe, në veçanti, zbatimin e ligjit të rivlerësimit apo vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Z.Bledar Zaganjori: Por kushti është diçka e re dhe është përdorur për Shqipërinë edhe me statusin tre apo katër vjet më parë. Pra, ka formula të reja që Komisioni po i provon me Shqipërinë apo me vendet e rajonit?

Z. Kristian Danielson: Jo, nuk mendoj se duhet ta shihni në këtë mënyrë. Komisioni e bën vlerësimin e një vendi që është në proces zgjerimi, mbi bazën e meritave të atij vendi dhe në përputhje me politikën që kemi përcaktuar. Në rastin e Shqipërisë, pesë Prioritetet Kyçe, janë thelbësore dhe një prej tyre ka të bëjë me gjyqësorin. Ajo çka kemi parë është një proces i vazhdueshëm reforme në Shqipëri dhe vlerësimi ynë është se Shqipëria tashmë ka arritur pikën ku mund të bëjmë përpara me rekomandimin për çeljen e negociatave, në varësi të zbatimit, nisjes së reformës së rëndësishme të drejtësisë, dhe në veçanti procesit të vetingut. Kjo është individuale për Shqipërinë dhe nuk duhet ta krahasojmë me vende të tjera.

Z.Bledar Zaganjori: Ju përmendet progresin në reforma, por Komisioneri Johanes Hahn ka deklaruar në një intervistë javën e kaluar me Televizionin Publik Shqiptar se Shqipëria duhet të zbatojë Reformën e Drejtësisë. Siç e dini, Reforma e Drejtësisë po ngadalësohet nga Gjykata Kushtetuese dhe Shqipërisë i duhet të luftojë korrupsionin dhe të bëjë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Pra, në bazë të këtyre konsideratave të zotit Komisioner, a do të thoshit se do të duhet të presim një vit për të marrë statusin nga Këshilli, për të hapur negociatat nga Këshilli?

Z.Kristian Danielson: Ajo që është e rëndësishme tani, është që Shqipëria të vazhdojë përpjekjet me reformat. Ajo që ne themi në rekomandim është se kushti lidhet me Reformën e Gjyqësorit dhe në veçanti, me procesin e vetingut. Dhe ajo çka duam të shohim në këtë fushë, është që procesi i vetingut të fillojë dhe ta shohim të bëjë përpara. Dhe paralelisht reformat, kur bëhet fjalë për luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar ndërkombëtar, administratën publike që ka nisur ndërkohë, ne presim që ato të vazhdojnë. Është e rëndësishme që Shqipëria të bëjë përpara në integrimin e saj në BE.

Z.Bledar Zaganjori: Cilat janë hapat? Sa kohë mendoni se do t’i duhet Shqipërisë për ta marrë rekomandimin?

Z.Kristian Danielson: Nuk do të spekuloja me këtë. Mendoj se ajo që ka rëndësi tani është të fokusohemi tek elementët që përmenda: reforma e sistemit të drejtësisë, zbatimi i saj dhe në veçanti vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ne do t’u kthehemi këtyre çështjeve, kur të mendojmë se është bërë progres në një shkallë që meriton marrjen e hapit tjetër.

Z.Bledar Zaganjori: I konsideroni zgjedhjet kusht? Zgjedhjet e reja në qershor? Zgjedhjet e reja? Organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme si kusht për negociatat?

Z.Kristian Danielson: Lidhur me zgjedhjet, ne presim nga të gjitha vendet që janë në proces zgjerimi që zgjedhjet të jenë të lira dhe të ndershme.

Z.Bledar Zaganjori: Mendoni se BREXIT e ka shtuar frikën e vendeve anëtare nga procesi i zgjerimit?

Z.Kristian Danielson: Jo, nuk shoh ndonjë lidhje mes të dyjave. Ka një mirëkuptim të gjerë dhe angazhim nga Shtetet Anëtare ndaj procesit të zgjerimit. Dhe këtë e gjeni në konkluzionet e Këshillit nga viti i kaluar. Të gjithë Shtetet Anëtare së bashku nënvizuan rëndësinë e kësaj çështjeje. Pres konkluzione të ngjashme këtë vit dhe mendoj se ekziston një mirëkuptim në rritje për arsyen e thjeshtë se po të shohim sfidat e sotme, shumë prej tyre janë të karakterit që vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Shtetet Anëtare të BE-së mund t’i trajtojnë më mirë së bashku. Procesi i zgjerimit luan një rol të rëndësishëm në këtë kontekst. E kam fjalën, për shembull, për sfidën e migrimit, apo për sfidën në lidhje me sigurinë dhe luftën kundër terrorizmit, apo për ekonominë ku kemi sfida të përbashkëta dhe interes të përbashkët që të punojmë ngushtësisht me njëri-tjetrin. Ndaj procesi i zgjerimit, si i tillë, luan një rol shumë të rëndësishëm.

Z.Bledar Zaganjori: Mendoni se fitorja e z. Trump në SHBA do ta ndryshojë mënyrën se si BE dhe Shtetet e Bashkuara e kanë përballuar situatën në vende si Shqipëria? Po flasim për reformën e gjyqësorit dhe a do të ngadalësohet ajo?

Z.Kristian Danielson: Jo, jo, nuk mendoj këtë. Nuk shoh ndonjë lidhje të tillë. Shtetet e Bashkuara kanë qenë një partner shumë i qëndrueshëm dhe i fortë me BE-në për ta mbështetur Shqipërinë në përpjekjet e saj për të ndërmarrë reforma, dhe nuk shoh asnjë arsye se pse kjo të mos vazhdojë në të ardhmen.

Z.Bledar Zaganjori: Le të flasim për luftën kundër korrupsionit. E nxisni Qeverinë Shqiptare dhe prisni nga Qeveria Shqiptare rezultate reale në hetimin dhe ndëshkimin e zyrtarëve të lartë së shpejti, sepse kjo është një nga gjërat që Shqipëria nuk e ka bërë prej vitesh.

Z.Kristian Danielson: Po, për luftën kundër korrupsionit: ajo çka ne quajmë historik apo bilanc, do të thotë që çështjet të çohen deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata dhe fajtorët të ndëshkohen. Ky është një element thelbësor në diskutimet tona me qeverinë shqiptare dhe është e rëndësishme që në këtë fushë të shohim përmirësime. Ajo çka kemi parë gjatë dy viteve të fundit është një përmirësim i vazhdueshëm kur bëhet fjalë pikërisht për këtë, por duhet bërë më shumë. Dhe këtu hyn reforma e drejtësisë, sepse policia është vetëm njëri institucion. Tjetër gjë është vënia në lëvizje e procesit, ndërkohë që duhen edhe gjykata të afta për të marrë vendime dhe për ta ndjekur çështjen deri në fund të procesit.

Z.Bledar Zaganjori: Kur prisni që ligji i vetingut të fillojë të japë efektet e tij?

Z.Kristian Danielson: Sa më shpejt të jetë e mundur. Mendoj se kjo është edhe ambicia dhe objektivi i Shqipërisë. Reforma e Drejtësisë është shumë interesante, sepse është një reformë që ka qenë vërtet përfshirëse, në të cilën janë bashkuar si opozita, ashtu edhe shoqëria civile dhe qeveria. Unë mendoj se kjo siguron themele të mira që ligji i vetingut të hyjë në fuqi sa më shpejt.

Z.Bledar Zaganjori: Si e komentoni rolin e qeverisë nga njëra anë dhe të opozitës në anën tjetrën për Reformën e Drejtësisë, sepse kemi pasur shumë diskutime dhe debate, si edhe shumë kontradikta?

Z.Kristian Danielson: Janë rezultatet që kanë rëndësi. Dhe është një reformë e rëndësishme që është vendosur njëzëri në Kuvendin e Shqipërisë, për të cilën opozita dhe qeveria kanë punuar së bashku. Unë mendoj se ky është lloji i përfshirjes që ka rëndësi për të parë se një reformë e tillë ka mbështetje të plotë. Dhe me sa kuptoj, gjithashtu, shoqëria civile është përfshirë thellësisht. Ndaj mendoj se nga ky pikëvështrim ky ka qenë një shembull se si duhen shtyrë përpara reforma të këtij lloji me qëllim që të arrihet një rezultat i mirë.

Z.Bledar Zaganjori: A keni përshtypjen se një pjesë e komunitetit të gjykatësve është kundër kësaj reforme?

Z.Kristian Danielson: Këtë nuk e di. Nuk po e ndjek nga kaq afër, por mendoj se ashtu si me çdo reformë gjithnjë do të ketë disa që mendojnë se ishte më mirë më parë.

Z.Bledar Zaganjori: Le të flasim për një tjetër çështje të nxehtë në Shqipëri. Nuk e di nëse kjo është një çështje e nxehtë që ka shkuar në Bruksel nga Shqipëria. Si e shihni debatin për drogat dhe kultivimin e kanabisit, sepse kemi opozitën që e akuzon qeverinë se nuk ka bërë sa duhet në luftën kundër trafikut të drogës dhe kultivimit të kanabisit, por për shembull, që zyrtarët e lartë dhe oficerët e policisë janë të përfshirë në këtë punën e trafikut?

Z.Kristian Danielson: Ne nuk merremi me çështje individuale. Ne na intereson ta ndihmojmë Shqipërinë për të ngritur strukturat e nevojshme për të qenë anëtare e BE-së dhe një element me rëndësi në këtë kontekst është lufta kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe krimit në përgjithësi, por krimi i organizuar ndërkombëtar në veçanti dhe trafiku i drogës dhe gjithçka që lidhet me drogën është me rëndësi nga ky pikëvështrim. Ndërveprimi ynë me Shqipërinë është që kemi mbështetje të madhe për policinë, kemi mbështetje të madhe tani për të pasur reformën e drejtësisë që jemi të sigurt se do të jetë e favorshme dhe e dobishme me qëllim që Shqipëria t’i trajtojë këto çështje.

Faleminderit z. Danielsson!

Faleminderit!

.