KRYEFAQJA » LAJME » Danimarkë-Shqipëri, RTSH “biletë” për të gjithë
Danimarkë-Shqipëri, RTSH "biletë" për të gjithë

Danimarkë-Shqipëri, RTSH “biletë” për të gjithë

Takimi Danimarkë – Shqipëri e vlefshme për Euro 2016 që do të zhvillohet më 4 shtator në stadiumin  “Telia Parken” të Kopenhagenit ka ngjallur një interesim të jashtëzakonshëm të tifozëve të të dy ekipeve. Një ditë para takimit njoftohet se janë shitur rreth 20.000 bileta dhe interesi vazhdon të rritet. Veçanërisht janë tifozët e kombëtares kuq e zi që po kërkojnë të blejnë bileta. Por autoritetet daneze kanë vendosur të ndajnë vetëm 2150 bileta për tifozët shqiptarë. “Është e kënaqësi që ka kërkesa aq shumë nga tifozët e të dyja kombëtareve daneze dhe shqiptare, e kjo mund të krijojë një festë të madhe në stadium” tha për mediat Jakob Hoyer një zyrtar i Federatës Daneze të Futbollit. “Ne do ti mirëpresim tifozët shqiptarë në tribunën e veçantë” shtoi ai. Zoti Hoyer këshilloi tifozët shqiptarë për të mos blerë bileta për seksionet e tjera. Ata do të refuzohen në hyrje të stadiumit nëse gjykohet se mund të jetë rrezik për sigurinë nga përzierja e tifozëve të futbollit shqiptare dhe daneze. “Ne nuk mund të lejojmë tifozët shqiptarë në pjesët e tjera të tribunave sepse  ky është rregulli i UEFA-së” tha ai.
Lajmet nga Kopenhageni ndërkohë bëjnë të ditur se shumë tifozë shqiptarë, vlerësohet rreth 4000 mbi numrin e ofruar nga autoritetet daneze, kanë siguruar bileta për takimin e të premtes, por prania e tyre në stadium nuk është e sigurt.
Ndërkaq ethet janë rritur edhe tek tifozeria që ka vendosur ta ndjeki takimin nga ekrani televiziv. RTSH ju ofron të gjithëve “bileta” falas për ta ndjekur takimin nëpërmjet një transmetimi mbresëlënës që do të nisi nga ora 20 e ditës së premte. Njoftimet janë se në qytetet kryesore të Shqipërisë, por edhe vende të tjera, po bëhen gati impiante për ta parë takimin në mënyrë të organizuar.