KRYEFAQJA » LAJME » DASH: Kosova i ka përmbushur kriteret për transparencë fiskale

DASH: Kosova i ka përmbushur kriteret për transparencë fiskale

Ministria e Financave vlerëson lart raportin e Departamentit të Shtetit të SHBA-së të vitit 2016 lidhur me transparencën fiskale në Kosovë. Ky raport përshkruan kërkesat minimale për sigurimin e transparencës fiskale të shteteve, që lidhen në veçanti me përgatitjen dhe publikimin e dokumenteve kyçe të buxhetit në mënyrë të plotë dhe të besueshme për publikun, siç është propozim buxheti, buxheti vjetor i miratuar, raporti vjetor i ekzekutimit të buxhetit, raportet e rregullta të shpenzimeve etj. Po ashtu, raporti i borxhit publik i vendit është në dispozicion për qytetarët dhe jep informata të plota dhe të besueshme, transparencën në lidhjen e kontratave publike dhe lëshimin e licencave për shfrytëzimin e resurseve natyrore, ekzistencën dhe funksionalitetin e një autoriteti suprem të auditimit të pavarur dhe bërjen publike të auditimeve të tilla. Si e tillë, transparenca fiskale është element kritik për menaxhim efektiv të financave publike dhe ndihmon në rritjen e besueshmërisë së qytetarëve dhe bizneseve karshi shtetit. Transparenca fiskale fuqizon llogaridhënien e Qeverisë duke ofruar një dritare të mundësive për qytetarë për të parë nga afër mënyrën e mbledhjes dhe shfrytëzimit të buxhetit të shtetit. Në këtë mënyrë, debati publik është më i informuar dhe bazuar në të dhëna të besueshme. Departamenti i Shtetit, në raportin e vitit 2016, vlerëson se Kosova ka përmbushur kriteret për transparencë fiskale për periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2015. Të dhënat që ka përdorur Departamenti i Shtetit janë nga shërbimet diplomatike dhe konsullore, nga shoqëria civile, nga organizatat ndërkombëtare etj. Ky vlerësim pozitiv reflekton suksesin e plotë të Qeverisë së Kosovës në rritjen e transparencës buxhetore dhe llogaridhënien. Diskutimi i gjerë i buxhetit me të gjithë aktorët e përfshirë, pastaj raportimi çdo muaj në Qeveri për hyrjet dhe shpenzimet, transparenca në prokurimin publik, zbatimi i një politike strikte të kursimeve dhe reformat e tjera, kanë rritur besueshmërinë e qytetarëve dhe bizneseve në Kosovë karshi financave publike. Kjo ka rezultuar me hyrje tatimore dukshëm më të mëdha se në vitin 2014, përmbushje të kritereve të programit të FMN-së, besueshmëri nga partnerët ndërkombëtarë dhe bankat zhvillimore, duke pasur qasje në kredi të buta tek qeveritë e vendeve të BE-së dhe institucionet financiare ndërkombëtare, në nivele të pakrahasueshme më parë.