KRYEFAQJA » LAJME » Bota » DASH paralajmëron amerikanët në Evropë

DASH paralajmëron amerikanët në Evropë

Departamenti amerikan i Shtetit paralajmëron amerikanët që udhëtojnë në Evropë mbi rrezikun e sulmeve të mundshme terroriste që vënë në shënjestër ngjarje të mëdha, vende turistike, restorante, qendra tregtare dhe të transportit. Paralajmërimi, i cili skadon më 31 gusht, 2016 thekson se “numri i madh i turistëve që vizitojnë Evropën në muajt e verës, paraqet objektivat më të mëdha për terroristët që planifikojnë sulme në vende publike, sidomos në ngjarje të mëdha.” Në veçanti, paralajmërimi tërheq vëmendjen tek Kampionati Evropian i futbollit nga 10 qershor deri në 10 korrik dhe gara e çiklizmit Tour de France nga 2 deri në 24 korrik në Francë. Tjetër ngjarje është Dita Botërore e Rinisë Katolike në Krakov të Polonisë, nga 26 në 31 korrik, që pritet të tërheqë deri në 2.5 milionë vizitorë. Edhe pse autoritetet evropiane vazhdojnë të ndërmarrin hapa për të garantuar sigurinë publike, Departamenti i Shtetit u bën thirrje amerikanëve të jenë vigjilentë.