KRYEFAQJA » LAJME » De Biasi: “Francë 2016”- kurorëzim i një ëndrre!

De Biasi: “Francë 2016”- kurorëzim i një ëndrre!

Traineri i Kombëtares Shqiptare të Futbollit Xhani De Biasi e ka konsideruar si kurorëzimi i një ëndrre kualifikimin e Shqipërisë në “Francë 2016”.  Gjatë një interviste dhënë gazetarit të TVSH Erti Kristo ai zbulon edhe disa hollësi për përgatitjet e kuqezinjve. Më poshtë intervista e plotë.

Erti Kristo i TVSH: Përshëndetje zoti De Biasi!

Xhani De Biasi:Përshëndetje!

Erti Kristo i TVSH: Viti 2015 ishte një vit i mrekullueshëm. Kombëtarja shqiptare arriti diçka që shumë pak njerëz e besonin 3 vite më parë. Ajo u kualifikua për në kampionatin europian “Francë 2016”. Çfarë do të thotë  për ju ky kualifikim?

Xhani De Biasi: Për mua do të thotë kurorëzimi i një ëndrre, e një pune që nisi katër vjet më parë dhe sëbashku ja arritëm synimit që të kualifikoheshim në kampionatin europian që askush nuk e priste. Dhe kjo ja vlen të theksohet. Një arritje shumë e rëndësishme dhe për të rinjtë sepse mund të jetë një shembull. Nëse do të arrish diçka në jetë duhet të impenjohesh, sepse gjërat nuk vijnë rastësisht, por sepse do ti.

Erti Kristo i TVSH: Ka mjaftë konkurencë mes futbollistëve të cilët do të jenë pjesë e 23 lojtarëve që do të marrin pjesë në kampionatin europian “Francë 2016”. Ka ndonjë lojtar të konfirmuar apo janë të gjithë në diskutim?

Xhani De Biasi: Le të themi se kemi ende 4 muaj kohë përpara se të bejmë selektimet e lojtarëve. Mendoj se këto 4 muaj do të jenë të rëndësishëm për të kuptuar se cilët lojtarë kanë luajtur, ata që janë më mire fizikisht. Por besoj se do të jetë i njëjti grup lojtarësh që na dërgoi në Francë.

Erti Kristo i TVSH: A keni ju një lojtar të preferuar në kombëtaren shqiptare?

Xhani De Biasi: Jo nuk kam një lojtar të preferuar. Por kam preferencë për disa lojtarë që janë simpatikë, sepse për mua simpati do të thotë që një person ndihet mirë në grup dhe bën të tjerët të ndihen mirë. Për mua si trajner, por dhe për kolegët e tjerë, këta janë lojtarë që të japin një kënaqësi të madhe, janë pjesë e skuadrës, nuk ndihen vetëm protagonist, por sëbashku me grupin.

Erti Kristo i TVSH: Le të flasim pak me emra më konkretë. Besart Berisha i cili luan në Australi.

Xhani De Biasi: Nuk do të vijë me ne!

Erti Kristo i TVSH: Pra për të dera është e mbyllur edhe nëse shënon në çdo ndeshje?

Xhani De Biasi: Edhe nëse shënon çdo të dielë. Problemi qëndron se kur Besart Berisha mori ftesën, nuk erdhi sepse ishte në pjesën tjetër të botës. Tani është po në pjesën tjetër të botës dhe le të rrijë atje!

Erti Kristo i TVSH: Shkëlzen Gashi është transferuar kohët e fundit tek “Kolorado Rapids” në Amerikë. Për të është një hap i rëndësishëm në karriere?

Xhani De Biasi: Është një mundësi më shumë për Gashin që të luajë sepse është nje lojtar që ka luajtur shumë tek skuadra e Baselit. Nuk kishte mundësi të luante me trajnerin që kishte dhe zgjodhi të ikte në një realitet tjetër për të luajtur më shumë.

Erti Kristo i TVSH: Le të flasim pak për lojtarët e rinj të kombëtares shqiptare të futbollit siç është Milot Rashica, Rei Manaj, Shani Tarashaj apo Celina.

Xhani De Biasi: Janë të rinj dhe kanë një të ardhme përpara. Jane të rinj që i shkojnë përshtat projektit tonë. I ndjek të gjithë.
Manajn e ndjek më pak sepse pothuajse nuk luan fare tek Interi që është një skuader e madhe. Përsa i përket Rashicës, është një lojtar që po zhvillon një kampionat të jashtëzakonshëm, ka shënuar shumë. Ndërkohë vendimet do të merren në një moment tjetër.

Erti Kristo i TVSH: Do të kemi dy ndeshje miqësore. Një me Austrinë më 26 mars dhe tjetra me Kanadanë përpara fillimit të kampionatit europian. Çfarë do të thonë këto dy ndeshje për De Biasin? Xhani De Biasi: Do të luajmë me Austrinë që është një skuadër mjaftë e fortë, sepse mban vendin e 10-të në renditjen e FIFA-s. Ka lojtarë që luajnë në kampionate të rëndësishme europiane. Duhet ta përgatisim mirë këtë ndeshje për të marrë përgjigje nga lojtarët që do thërras posaçërisht për këtë ndeshje.

Erti Kristo TVSH: E ndiqni kampionatin shqiptar të futbollit?
Xhani De Biasi:Po.

Erti Kristo i TVSH: A do ketë lojtarë nga ky kampionat që do të jenë pjesë e kombëtares shqiptare të futbollit?

Xhani De Biasi: Ndonjë lojtar mund të jetë pjesë e kombëtares shqiptare të futbollit në Europian, gjithmonë duke u bazuar tek ata lojtarë që kanë qenë pjesë si Orges Shehi apo Alban Hoxha. Më pas do të shohim nëse do ketë lojtarë të tjerë që do jenë pjesë e skuadrës sonë.

Erti Kristo TVSH: Ne jemi pak të lidhur me kampionatin italian të futbollit. Këtë jave, të shtunën luhet ndeshja Juventus-Napoli. Do të jetë një ndeshje që do të vendosë titullin?

Xhani De Biasi: Nese do të jetë një ndeshje që përfundon në barazim nuk vendos asgjë. Ndërsa nëse fiton  Napoli do të ketë mundësi për të fituar kampionatin. Ndër të tjera mbetet një ndeshje larg fundit të kampionatit. Sa për të kujtuar, Juventusi që të gjithë e mendonin jashtë luftës për titull,ja doli të hynte sërish në garë me lojtarët që ka.

Erti Kristo i TVSH :Çfarë ju pëlqen më shumë nga Shqipëria, çfarë do tju mungojë një ditë?

Xhani De Biasi: Më pëlqen ngrohtësia e njerëzve, dëshira për të ndjekur ngjyrat tona. Do të qendroja tek ky aspekt, njerëzit gëzohen dhe për disa gjëra të vogla.

Erti Kristo i TVSH: Faleminderit!

Xhani De Biasi: Faleminderit Ju!