KRYEFAQJA » LAJME » De Biasi zbardh listën e të grumbulluarve për ndeshjet miqësore

De Biasi zbardh listën e të grumbulluarve për ndeshjet miqësore

Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, italiani Giovanni De Biasi, mbajti një konferencë për shtyp në sallën e konferencave në selinë e Federatës Shqiptare të Futbollit në prag të dy ndeshjeve miqësore përgatitore për Euro 2016.

Përfaqësuesja jonë do të luajë ndeshje e parë përgatitore, të shtunën me 26 mars në orën 17:30 në stadiumin Ernst-Happel të Vjenës ku do të përballet me Austrinë. Ndeshjen e dytë djemtë tanë do ta luajnë në fushën e blertë të stadiumit Josy Barthel të Luksemburgut kundër vendasve me 29 mars në orën 20:15.

“Lojtarët që kanë aftësi të mira teknike dhe që luajnë vetëm për vete, jo në funksion të skuadrës, nuk do të kenë vend në kombëtare. Nuk me duhen në ekip lojtarë që kanë aftësi të mira teknike por që nuk i venë në funksion të ekipit kombëtar. Ne në skuadër kemi moton ‘Një për të gjithë e të gjithë për një’, kush nuk vepron kështu nuk ka vend në skuadër”, tha gjatë konferencës për shtyp De Biasi.

I pyetur për të ardhmen, nëse mund të marrë drejtimin e Italisë, pasi vendi është bosh, De Biasi përgjigjet: “Më pëlqen t’i bëj gjërat me radhë. Tani jam i përqëndruar vetëm në ndeshjen e 11 qershorit, e para në Europian. Dua të shikoj si do të shkojë ecuria e skuadrës time atje. Më pas do të shikoj se çfarë do të bëj”.

Ndërsa për ecurinë e përfaqësues në finalet e Euro 2016 ai tha: “E dimë që jemi një grup i vështirë por do të luftojmë për të fituar. Na duhet të përveshim mëngët, siç kemi bërë deri tani dhe të kthehemi në luftëtarë në fushë. Edhe në grupin kualifikues na quanin të fundit për nga pretendimet por ja që u kualifikuam. Kemi një skuadër të mirë dhe duhet të shfrytëzojmë punën që kemi bërë deri tani. Jam optimist nga natyra dhe them që edhe në finalet e Europianit do të dimë t’i kapërcejmë vështirësitë për të bërë surprizën”.

Trajneri Gianni De Biasi ka grumbulluar në kombëtare për këto dy takime këta lojtarë:

PORTIERË Etrit Berisha (Lacio), Orges Shehi (Skënderbeu), Alban Hoxha (Partizani).

MBROJTËS Arlind Ajeti (Frozinone), Naser Aliji (Bazel), Berat Gjimshiti (Atalanta), Mergim Mavraj (Këln), Lorik Cana (Nantë), Elseid Hysaj (Napoli), Ansi Agolli (Karabak), Federik Veseli (Lugano), Andi Lila (PAS Janinë), Ermir Lenjani (Nantë).

MESFUSHORË Shkëlzen Gashi (Kolorado Rapids), Herolind Shala (Sllovan Liberec), Migen Basha (Komo), Ledian Memushaj (Peskara), Ergys Kaçe (PAOK Selanik), Odise Roshi (Rjeka), Burim Kukeli (Zyrih), Taulant Xhaka (Bazel), Amir Abrashi (Frajburg).

SULMUES Armando Sadiku (Vaduz), Bekim Balaj (Rjeka), Sokol Çikalleshi (Stamboll B.B.), * Milot Rashica (Vitesh)

* Vetëm për ndeshjen me Luksemburgun.