KRYEFAQJA » LAJME » DE BIAZI PËR ANGLINË DHE KUQEZINJTË NË SERINË A
giani de biasi, kombetarja, seria a, trajneri

DE BIAZI PËR ANGLINË DHE KUQEZINJTË NË SERINË A

Në një intervistë radiofonike të dhënë për “Radio Time”, nga Palermo, ku dhe gjendet me pushime, trajneri i Shqipërisë, Xhovani De Biazi, pasi ka pranuar se përpara se të zgjidhej Ventura në stolin e Italisë ishte kontaktuar nga Federata italiane e futbollit, ka treguar se ka pasur edhe oferta të tjera të rëndësishme. “Në shkurt, – thotë De Biazi, – mora një ofertë nga një klub i Serisë A, por refuzova, sepse isha i fokusuar te Evropiani me Shqipërinë”. Por tashmë duket se nuk e ka lënë pas dore idenë për të drejtuar “Tre luanët”, edhe sepse jo më larg se sa një javë më parë emri i tij është përfolur si trajner i përfaqësueses së Anglisë. Ashtu sikurse ka dalë edhe emri i Jurgen Klinsmanit në krye të Anglisë. “Me anglishten ia dal mirë, por shpresoj që të më marrin në telefon, sepse deri tani s’ka asgjë…”. Mbi Evropianin e Shqipërisë që përfundoi me një fitore ndaj Rumanisë 1-0 dhe dy humbje, 0-1 me Zvicrën dhe 0-2 me Francën, De Biazi do të deklaronte: “Të vjen keq, sepse mund të kishim bërë diçka më shumë”. Në fund ai këshillon edhe agjentët e futbollistëve: “Shikojini edhe njëherë sfidat e kombëtares së Shqipërisë këtë Evropian dhe do të shihni se katër lojtarë mund të luajnë në Serinë A”.