KRYEFAQJA » LAJME » Dekorimi i ballistëve nga Nishani provokon debate
Dekorimi i ballistëve nga Nishani provokon debate

Dekorimi i ballistëve nga Nishani provokon debate

Dekorimi i ditët e fundit nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani, i 67 anëtarëve të Ballit Kombëtar, të cilët u pushkatuan pa gjyq në vitin 1943 nga ish komandanti i Brigadës së Parë Sulmuese, udhëheqësi komunist Mehmet Shehu, ka rindezur debatin publik në lidhje me ngjarjet që u përjetuan edhe në Shqipëri gjatë luftës së Dytë Botërore, veçanërisht marrëdhëniet mes partizanëve dhe ballistëve.
Historiani Paskal Milo, ish ministër i jashtëm i Shqipërisë në qeveritë socialiste të pas vitit 1997, e sheh këtë gjest si një akt që provokon opinionin publik. Ai e dënon aktin e ish udhëheqësit komunist Mehmet Shehu, por thotë se ngjarja ka ndodhur në kushtet e luftës.
Një tjetër qasje jep historiani Uran Butka, pinjoll i një familjeje nacionaliste të persekutuar nga regjimi komunist, ish deputet i PD. Sipas tij ngjarja u zhvillua në rrethana e kushte të cilat ai vlerëson se kanë shkelur konventat ndërkombëtare për robërit dhe të dënuarit e luftës.
Nga ana e tij politikani i majtë Petro Koçi, aktualisht zëvendësministri i mbrojtjes, i cilëson dekorimet e papranueshme, pasi sipas tij ky veprim e zhvlerëson rolin që Shqipëria luajti gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ngjarja është vënë në vemendje edhe të parlamentit shqiptar gjatë seancës plenare të së enjtes. Kryeministri socialist Edi Rama, mbrojti hapur veprimtarinë e forcave partizane gjatë viteve të Luftës Nacionalçlirimtare,duke lëshuar batuta me doza humori ndaj ballistëve, ndonëse pranoi se në gjirin e Ballit Kombëtar ka patur patriotë dhe nacionalistë të ndershëm.
Debati i fundit është një tjetër episod i polemikave mes të majtëve dhe të djathtëve rreth ngjarjeve të ndryshme në Shqipëri gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, debate që vazhdojnë me tone shpesh të larta që prej më shumë se dy dekadave e gjysmë. Ato kanë ndikuar jo pak në shkrimin dhe rishkrimin e historisë së Shqipërisë së atyre viteve, por edhe në jetën politike të vendit.