KRYEFAQJA » LAJME » Dekorimi i persekutorëve, Rama kërkon ndjesë, por sulmon Berishën
Dekorimi i persekutorëve, Rama kërkon ndjesë, por sulmon Berishën

Dekorimi i persekutorëve, Rama kërkon ndjesë, por sulmon Berishën

Kryeministri Edi Rama u ka kërkuar ndjesë publike të gjithë të prekurve nga dekorimi i përsekutorëve të regjimit komunist, por ndërkohë ka sulmuar ashpër ish paraardhësin e tij Sali Berisha si shkaktar të kësaj historie të zymtë siç e ka quajtur ai.
Në komentin e titulluar “Historia e zymtë e një medaljeje dhe një ndjese e imponuar nga kjo histori”, zoti Rama shkruan se “E kam përjetuar me trishtim befasinë e lajmit se në 70- vjetorin e çlirimit të vendit tonë, Ministria e Mbrojtjes paska dekoruar, ndër të tjerë, torturuesin e dy shpirtrave të bukur të rezistencës antikomuniste shqiptare; Padër Zef Pllumin, kalorësin e besimit që i mbijetoi të gjithë rrathëve të ferrit ateist të Enver Hoxhës, e që do të mbetet përgjithjë edhe një pasuri e çmuar e jetës sime personale, sepse më dha privilegjin e madh të miqësisë së tij, qysh në ditët e para të tranzicionit të gjatë; Sami Rrepishtin, profesorin kryelartë të mërgatës shqiptare në Amerikë, që s’kam patur fatin ta njoh dhe ta falenderoj personalisht, për shembullin e tij frymëzues, për mua e shumë të tjerë, të përfshirë në lëvizjen universitare kundër regjimit komunist, po kam sot detyrimin t’i kërkoj të falur për tronditjen e kuptueshme që i ka sjellë medalja e marrë prej torturuesit të tij”.
“E kërkoj ndjesën e këtyre njerëzve, po edhe të gjithë të tjerëve që janë ndjerë keq nga një lajm i tillë, jo pse kam gabuar apo kemi gabuar me dashje. Jo, kjo nuk ka ndodhur! Madje e vërteta është se në kuptimin formal të përgjegjësisë, ne nuk kemi gabuar as padashje (dhe do ta shpjegoj pse). Por, ndjesa është e detyrueshme sepse, edhe pse krejt padashje, edhe ne jemi bërë pjesë e një historie shumë të zymtë, ku ndër vite janë përfshirë lloj-lloj kokëtrashësh, hipokritësh e hileqarësh” shkruan zoti Rama.
Sipas tij “Kjo histori kaq e zymtë nuk ka nisur vjet, në 70- vjetorin e çlirimit, po shumë vite më parë. Torturuesi famëkeq i Padër Zefit dhe i Profesor Rrepishtit, nuk e ka marrë për herë të parë vjet, përmes medaljes së Ministrisë së Mbrojtjes, shprehjen e mirënjohjes së Qeverisë Shqiptare si veteran i luftës. Ai dhe të tjerë sivëllezër e simotra të sojit të tij të torturuesve, pushkatuesve, internuesve, përvëluesve të zemrave e të familjeve të panumërta shqiptare, përfshirë edhe vetë Nexhmije Hoxhën, janë nderuar prej kohësh dhe që shumë kohë më parë, si veteranë të luftës”.
Zoti Rama shkruan më tej se “Në vitin 1994, kryeakuzatori dhe kryefalsifikatori i 25 vjetëve të fundit, po me siguri edhe njëri ndër akuzatorët dhe falsifikatorët më të mëdhenj në historinë politike të Shqipërisë, ishte President i Republikës kur dekretoi Ligjin Nr. 7874, (pak ditë para festës së çlirimit, bash me rastin e 50- vjetorit të çlirimit), për Statusin e Veteranit të LANÇ-it. Ai është ligji që sot e gjithë ditën përcakton bazën ligjore të statusit të veteranit të LANÇ-it. Disa muaj më vonë, në vitin 1995, qeveria e këtij përçudnuesi të paskrupullt të çdo norme e vlere të politikës e të kulturës demokratike, miratoi vendimin me nr.190, dt.3.5.1994, që rregullon administrativisht statusin e veteranit”. “E pra, shkruan kryeministri Rama, zanafilla e faktit të trishtueshëm të medaljes për torturuesin famëkeq të Padër Zefit e të Profesor Rrepishtit, i përket bash asaj periudhe dhe qëndron pikërisht mbi atë bazë ligjore, të ndërtuar asokohe nga ky shpërdorues ekstremist, i çdo fakti e prove, që nuk i vjen për shtat politikës së tij të shpifur, dhe shpifës i paepur, i çdo monstruoziteti e paturpësie, që prej 25 vjetësh ua mvesh kundërshtarëve të tij, duke e kthyer mjedisin e debatit pluralist në një gropë septike ku kush më shumë e kush më pak, jemi ndotur që të gjithë”.
“Ky skandaloz, që është fatkeqësia që na shoqëron si një mallkim i Partisë së Punës dhe po ashtu, turpi ynë shoqëror që e kemi pasur majë më majë e shteg më shteg prej 25 vjetësh, nuk ka lënë të vdekur pa trazuar e të gjallë pa përbaltur 25 vjet me radhë, po jo vetëm as dosjet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit nuk i hapi (përkundrazi asgjësoi e dëmtoi sa mundi me mashat e tij në SHIK-un famëkeq), e as të përndjekurve politikë nuk ua bëri kurrë respektin e pendesës shtetërore, po veç i lau e leu me lotët e krokodilit të dalë nga pishina e vilës së Enver Hoxhës, por u ka siguruar statusin më të lartë të veteranit dhe u ka paguar që prej 20 vjetësh pension ekstra çdo muaj, jo vetëm torturuesit të Padër Zefit për të cilin na akuzon ne me ulërima, po edhe Nexhmije Hoxhës, Aranit Çelës e disa të tjerëve të këtij soji, të cilët i ka fshehur skuthërisht mes rreshtave të veteranëve të Luftës Nacionalçlirimtare” shkruan Edi Rama kryeministër i Shqipërisë dhe kryetar i PS.
Ai saktëson se “Saktësisht në vitin 1996, (me vendimin nr. 34, datë 6.5.1996), i ka dhënë statusin e veteranit të LANÇ-it pikërisht atij që sot e hedh në oborrin tonë si “ish-xhelat të Padër Zef Pllumit”, njësoj siç bënin tinzarët e sojit të tij që fusnin armët nëpër kisha për t’i përdorur si prova të inkriminimit të klerit katolik”.
“Për çfarë meritash ia dha atëherë statusin e lartë të veteranit të Atdheut, torturuesit të Padër Zefit e të Profesor Rrepishtit apo edhe të tjerëve si ai, dhe pse u desh të plakej ky marifetçi pa din e iman, që të na i zbulonte pas 20 vjetësh krimet e pasluftës së këtij veterani?” pyet zoti Rama.”
Sipas tij “Kjo është një histori tipike e kriminalizimit të kundërshtarit me mjetet e botës së errët të gënjeshtrave, shpifjeve, fabrikimeve, që kryefajtori për shumë e shumë gjëma e bëma në 25 vitet e fundit të këtij vendi, i eksportoi nga organizata bazë e PPSH-së, në Partinë Demokratike, në Kuvendin e Shqipërisë, në Presidencën e Republikës, në Këshillin e Ministrave e kudo ku shkeli dhe i dha gojës në sytë e shqiptarëve”.