KRYEFAQJA » LAJME » Dekriminalizimi, kushtetuta pritet të ndryshojë në katër nene
Dekriminalizimi, kushtetuta pritet të ndryshojë në katër nene

Dekriminalizimi, kushtetuta pritet të ndryshojë në katër nene

Socialistët dhe demokratët hodhn një tjetër hap të rëndësishëm drejt miratimit të projektligjit për dekriminalizimin e politikës. Në komisionin e posacëm parlamentar ata kanë votuar të hënën sëbashku për ndryshimet e nevojshme kushtetuese. Sipas propozimeve do të duhet që të paktën katër nene të kushtetutës të ndryshojnë.
“Kemi miratuar disa gjëra mbi personat që kanë një vepër penale në CV-në e tyre dhe që nuk duhet të qëndrojnë në poste publike. Miratuam këtë paketë dhe diskutuam për nenet përkatëse, por duke qenë e nevojshme të vazhdohet diskutimi në aspektin teknik, me kontributin edhe të ndërkombëtarëve, komisioni vendosi ta shtyjë në një mbledhje të dytë përmbylljen e kësaj pakete. Më pas, do ta çojmë atë për miratim seancës plenare të Kuvendit të Shqipërisë”, tha deputeti demokrat Oerd Bylykbashi, që është dhe drejtues i komisionit.
“Ramë dakord që ky proces të vazhdojë, sepse Kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit kanë rregulla strikte, që duhen respektuar një më një nga të gjithë anëtarët e këtij komisioni” tha nga ana e tij deputeti socialist Taulant Balla. “Ligji duhet të miratohet, por ai ka bërë të domosdoshëm ndërhyrjen në Kushtetutë, për të hapur çelësat që ndryshojnë legjislacionin shqiptar për ata që përfaqësojnë interesin publik. Kushtetuta nuk ndryshohet brenda një nate, sigurisht ka optimizëm që procesi të bëhet sa më shpejt e të mos marrë shumë kohë” shtoi ai.
Pritet që paketa e ndryshimeve kushtetuese për dekriminalizimin të konsultohet me ekspertë kushtetues dhe më pas do të paraqitet në parlament.