KRYEFAQJA » LAJME » “Dekriminalizimi”, prokuroria nis me Roshin
PD: Rama vazhdon të mbrojë Roshin

“Dekriminalizimi”, prokuroria nis me Roshin

Kryetari i Bashkisë së Kavajës Elvis Roshi, duket se do të jetë zyrtari i parë me të cilin Prokuroria e Përgjithshme do të fillojë punë në zbatim të ligjit të konsideruar si “ligji i dekriminalizimit”. Ajo i ka kërkuar Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve materiale paraprake mbi zotin Rroshi, bëhet e ditur në një njoftim të saj për mediat. “Kërkesa e Prokurorit të Përgjithshëm mbështetet në faktin se, në formularin e vetëdeklarimit të këtij subjekti, ka të dhëna të pasqaruara, të cilat kërkojnë verifikim më të thelluar” bëhet e ditur në njoftim.
Kreu i Bashkisë së Kavajës Elvis Roshi, i cili ka nisur mandatin e dytë në këtë post si i zgjedhur i PS, është ndër emrat më të lakuar nga opozita e djathtë si njerëz me të kaluar të dyshimtë, madje të përfshirë në afera kriminale. Vetëm pak ditë më parë, kur sapo kishte përfunduar afati ligjor i deklarimit, Partia Demokratike kërkoi nga prokuroria që t’i ndërpriste zotit Roshi mandatin e kryetarit të Bashkisë së Kavajës. Sipa saj zoti Rroshi në formularin e dekriminalizimit, nuk kishte sqaruar se pse ishte ndaluar vite më parë në Gjermani. Por kryebashkiaku i Kavajës ka deklaruar se si shumë shqiptarë të tjerë ishte dëbuar nga Gjermania për mungesë dokumentesh. Edhe më parë zoti Roshi është shprehur se fati i tij është i ngjashëm me atë të shumë të rinjve shqiptarë, që pas rënies së diktaturës komuniste në Shqipëri, synuan të shkonin dhe të jetonin pa ditur rregullat në vende të ndryshme të Europës.