KRYEFAQJA » LAJME » Demarkacioni, mbijetesa e radhës për koalicionin PDK – LDK
demarkacioni-780x439

Demarkacioni, mbijetesa e radhës për koalicionin PDK – LDK

E kanë cilësuar si koalicioni i elefantëve e ndonjëherë edhe si koalicion që vret demokracinë e brendshme apo edhe si “Guns n’Roses”, por Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike, bashkë me pakicat, kanë vazhduar të qeverisin në Kosovë duke u mbështetur në numrat shumicë në Kuvend dhe duke i margjinalizuar partitë tjera. Ky koalicion i mbijetoi sfidës së dialogut dhe marrëveshjeve me Serbinë. I mbijetoi zgjedhjes së Hashim Thaçit president të Kosovës, një figurë politike që nuk preferohej nga një pjesë e konsiderueshme e deputetëve të LDK-së dhe atyre të pakicës serbe. Kurse tani ka përpara sfidën e ratifikimit të Marrëveshjes së Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, e cila, jo vetëm sipas opozitës, por edhe disa deputetëve nga partitë në pushtet, po cilësohet se ashtu siç është, rrezikon t’i humbë Kosovës mbi 8 mijë hektarë tokë. Megjithatë, deklaratat e zyrtarëve të caktuar të LDK-së e në disa raste edhe të atyre të PDK-së që parashikojnë edhe prishjen e koalicionit për shkak të mungesës së unitetit për ratifikimin e Demarkacionit, nuk i shohin si kërcënim për qeverinë aktuale shumë nga figurat kryesore politike të dy partive në pushtet dhe as analistët politik. Deputeti i LDK-së, Sadri Ferati mendon se Demarkacioni nuk po e ndan PDK-në me LDK-në, por ka deputetë të të dyja partive që bindjet e tyre i kanë ndryshe, krahasuar me Marrëveshjen aktuale që ka nënshkruar qeveria e Kosovës me atë të Malit të Zi. Analisti i çështjeve politike, Imer Mushkolaj nuk beson në sinqeritetin e deputetëve dhe zyrtarëve të partive në pushtet, kur flasin për prishjen e koalicionit për shkak të disa çështjeve parimore. Sipas tij, deputetët dhe zyrtarët e këtyre partive, më shumë po i shfrytëzojnë disa çështje të ndjeshme për realizimin e interesave personale. Në qëndrueshmërinë e koalicionit beson edhe zëvendëskryeministri dhe nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajredin Kuçi. Sipas Kuçit, janë konceptet qeverisëse e programore ato që e mbajnë gjallë apo jo një qeveri të koalicionit dhe jo deklaratat e individëve. Koalicioni i gjerë ndërmjet PDK-së dhe LDK-së, ku bëjnë pjesë edhe pakicat, në momentin e themelimit kishte gjetur edhe mbështetjen ndërkombëtare për shkak të zotimit të liderëve të tyre për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte dhe vazhdimin e dialogut politik me Serbinë.