KRYEFAQJA » LAJME » Demarkacioni me Malin e Zi drejt rishikimit
demarkacioni

Demarkacioni me Malin e Zi drejt rishikimit

Marrëveshja për demarkacionin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi po shkon drejt rishikimit, thonë analistët politik. Sipas tyre, nënshkruesit e kësaj marrëveshjeje, ish-lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, tani president i Kosovës, dhe kryeministri Isa Mustafa, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, janë bazuar vetëm në numrat që kanë në Kuvend, por jo edhe në qëndrimet që do të mbajnë deputetët, përfshirë edhe ata nga partitë e tyre. Analisti Halil Matoshi pret që marrëveshja për demarkacionin, si “një kauzë popullore që është krijuar”, të shkojë drejt Gjykatës së Arbitrazhit. Jo vetëm te partitë politike, por edhe te opinioni i gjerë, ka nënvizuar Matoshi, është krijuar një dilemë e madhe se ka pasur parregullsi me këtë marrëveshje. Marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi fillimisht ishte kundërshtuar nga opozita. Por, kohëve të fundit, edhe deputetë nga radhët e dy partive në pushtet, PDK dhe LDK, janë shprehur të rezervuar, duke kërkuar rishikimin e saj. Analisti Imer Mushkolaj thotë se koha është e shkurtër dhe se koalicioni duhet të veprojë shumë shpejt. Pozitive në këtë aspekt, vijon Mushkolaj, është gatishmëria e shprehur e palës malazeze që të diskutohen dhe rishikohen lëshimet eventuale. Prandaj, ai beson se çështja mund të kalojë edhe pa arbitrazhin ndërkombëtar, nëse palët merren vesh. Marrëveshja për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi është nënshkruar në fund të muajit gusht të vitit të kaluar në Vjenë. Por, ajo nuk është ratifikuar ende në Kuvendin e Kosovës, qoftë për shkak të protestave të opozitës, apo edhe hezitimeve të partive të koalicionit. Ratifikimi i kësaj marrëveshje, është vënë si kushti i fundit i Brukselit për institucionet në Prishtinë, para se të merret vendimi për zbatimin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Por, tani mbetet të shihet nëse koalicioni qeverisës do të procedojë me tentativën për ta ratifikuar marrëveshjen në Kuvend.