KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Dëmtime masive të impianteve të bletëve
Dëmtime masive të impianteve të bletëve

Dëmtime masive të impianteve të bletëve

Disa impiante me bletë në Bashkinë e Maliqit dhe Korçës janë drejt zhdukjes. Për herë të parë në këto zona bletërritësit vënë re shuarje masive të kolonive të bletëve, duke sjellë rënie të prodhimit. Ata hedhin dyshime tek përdorimi pa asnjë lajmërim i preparateve të forta kimike në mbrojtje të patates.
Gëzim Skerma, kryetar i Shoqatës së Bletërritësve në Korçë thotë për TVSH se nuk dihet çfarë lloj helmi është dhe se dëmi është i konsiderueshëm. Edhe Arben Hysolli, specialist pranë Drejtorisë së Bujqësisë në Korçë pranon se ende nuk është e qartë se çfarë preparati kanë përdorur prodhuesit e patates. “Është hera e parë që po ndodh ky fenomen te bleta dhe jemi në ndjekje”, thotë ai.
Përpara kësaj situate bletërritësit e këtyre zonave kërkojnë reagimin e institucioneve përgjegjëse si dhe dëmshpërblim.  Klima dhe flora e favorshme e rendisin qarkun e Korçës, ndër rajonet kryesore për prodhimin e mjaltit në vend, por këtë vit, ky zë është vënë në pikëpyetje të madhe.