KRYEFAQJA » LAJME » Karaxhiç dënohet me 40 vjet burg për genocid
Radovan-Karadzic

Karaxhiç dënohet me 40 vjet burg për genocid

Gjykata ndërkombëtare e Hagës për krimet në ish-republikën e Jugosllavisë e dënoi ish liderin e serbëve të Bosnjës Radovan Karaxhic me 40 vjet burg, duke e shpallur atë fajtor për 10 nga 11 akuzat kundër tij. Akuzat kanë lidhje me organizimin e mizorive serbe në Bosnje gjatë viteve 1992-95, si pasojë e të cilave kanë humbur jetën të paktën 100 mijë persona. Ai u shpall fajtor për organizimin e genocidit të vitit 1995 në Srbrenica, ku forcat serbe ekzekutuan rreth 8000 burra dhe djem, si dhe për nënte akuza të tjera si krime kundër njerëzimit, vrasje, deportim, terror dhe sulme të paligjshme kundër civilëve. Mes këtyre akteve brutale ishte edhe rrethimi 44 mujor i Sarajevës, ku mbi pesë mijë civile humbën jetën. 70 vjecari, i cili i mohoi akuzat, këmbënguli se aktet ishin kryer nga individë jo nën komandën e tij. E vetmja akuzë për të cilët ai nuk u konsiderua përgjegjës ishte genocidi në fushatën e ndërmarrë në disa fshatra nga ku u përzune kroatët dhe boshnjaket muslimane. Rasti Karaxhic konsiderohet si një nga gjyqet më të rëndësishëm të krimeve të luftës që nga Lufta e dytë Botërore. Gjykata e Hagës kishte lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar në vitin 1996, por arrestimi i tij u bë i mundur vetëm 12 vjet më pas. Gjatë periudhës në arrati, Karaxhic, një ish-psikiatër, ia doli t’i shpëtonte përpjekjeve që forcat e NATO-s ndërmorën për të kapur atë. Në korrik të vitit 2008, ai u arrestua ndërsa po udhëtonte në një autobuz në rrethinat e Beogradit, ku kishte jetuar si doktor i mjekësisë alternative, kishte rritur flokët dhe mjekrrën dhe kishte vënë syze optike në mënyrë që të fshihte identitetin e tij të vërtetë.