KRYEFAQJA » LAJME » Dënohet “Njeriu dron”
Dënohet "Njeriu dron"

Dënohet “Njeriu dron”

Gjykata e Tiranës ka pezulluar vendimin për shërbim prove ndaj shtetasit Ismail Morina, dhe e ka dënuar atë me 1 vit e 4 muaj heqje lirie për veprën penale të armëmbajtjes pa leje. I cilësuar si njeriu dron, Ismail Morina u bë i njohur pasi ngriti  flamurin “Autochthonus” gjatë takimit Serbi-Shqipëri në tetor të vitit 2014 në Beograd, i vlefshëm për “Euro 2016”. Kjo ngjarje provokoi një tensionim të dukshëm të marrëdhënieve mes dy vendve. Shumë e vlerësuan si xhest patriotik, por shumë të tjerë e kanë quajtur si mjaftë të rrezikshëm për mbarëvajtjen  mes shqiptarëve dhe serbëve.
Por një vit më vonë Ismail Morina u ndalua në Tiranë pak orë para zhvillimit të takimit të kthimit midis Shqipërisë dhe Serbisë. Atij ju gjetën dy pistoleta dhe disa dhjetra bileta për ndeshjen, ndonëse FSHF kishte thenë se ai nuk do të lejohej të hynte në stadium, ndërsa biletat ishin të personalizuara. Por Morina kish deklaruar se do të ishte në mënyrë të padiskutueshme në takimin Shqipëri-Serbi, madje se do kishte një surprizë për kryeministrin serb Vuçiç, i cili në fakt mungoi.
Në deklarimet e tij para gjykatës Morina ka thënë se armët i mbante për vetëmbrojtje nga frika e ndonjë hakmarrjeje nga nacionalistët serbë.  Ndalimi i tij dhe mbajtja në qeli për disa kohë, solli reagime të shumta, veçanërisht në mbrojtje dhe duke kërkuar lirimin e tij. Pas vendimit të sotëm, ka shumë mundësi që me artificat e ligjit shqiptar Ismail Morina të konsiderohet si person që e ka kryer tashmë dënimin.