KRYEFAQJA » LAJME » Deputeti Frroku jep dorëheqje
Deputeti Frroku jep dorëheqje

Deputeti Frroku jep dorëheqje

Një tjetër deputet i parlamenti shqiptar, pjestar i maxhorancës ka dhënë dorëheqje. Ai është deputeti kristiandemokrat Mark Frroku i cili ka dorëzuar mandatin e deputetit. Frroku i ka dërguar një letër parlamentit dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me anë të së cilës kërkon të lërë mandatin e tij. Sipas letrës, motivi i kësaj dorëheqje lidhet me një proces gjyqësor në Belgjikë, i cili vazhdon prej vitesh pasi Mark Frroku akuzohet për vrasjen e një shqiptari në vitin 1999-ën.
Vendimin e tij për dorëheqje Mark Frroku e lidh edhe me çështjen e shumëdebatuar të dekriminalizimit. Sipas tij, me këtë rast kërkohej të bëhej kurban një deputet dhe siç shkruan Mark Frroku: “Më ra mua si pjesë duke mos qenë pjesë e politikës së vjetër 25 vjeçare”. Por Frroku i cilëson sulmet ndaj tij nga Partia Demokratike si politike. Sipas tij këto sulme kanë ardhur në momentin që ai u shkëput nga kjo forcë politike për të cilën shpesh herë ka qenë sponsorizues.
Por për ironi të fatit në listën e deputetëve të qarkut të Shkodrës Mark Frroku pasohet nga i vëllai i tij Arben Frroku për të cilin Gjykata e Apelit ka dhënë vendim të formës së prerë për dënim të përjetshëm për vrasjen e një zyrtari të lartë të policisë, komisarit Dritan Lamaj. Vetë Arben Frroku është larguar nga Shqipëria, në një veprim që ka ngjallur polemika mes maxhorancës dhe opozitës. Kjo e fundit ka akuzuar qeverinë se ka mbështetur Frrokun në largimin e tij.
Sipas listës së Partisë Kristian Demokrate vendin e Frrokut do të zërë Mirela Ferracaku.
Mark Frroku është deputeti i dytë nga maxhoranca që jep dorëheqje. Më parë prej saj është larguar Arben Ndoka, ndaj të cilit pati akuza si i përfshirë në afera kriminale. Ndoka tha se do t’i drejtohej drejtësisë për të rivendosur nderin e tij.