KRYEFAQJA » LAJME » Derbi i 147-të Tirana – Partizani, sonte në RTSH
derbi, tirana, partizani, futboll, 147, live, rtsh, tvsh

Derbi i 147-të Tirana – Partizani, sonte në RTSH

Janë plot 146 përballje në thuajse 60 vjet histori, në një duel për zotërimin futbollistik të kryeqytetit shqiptar. Kjo është me pak fjalë ajo që do ta përkufizonte derbin e madh të kryeqytetit, midis Tiranës dhe Partizanit, që sonte luan aktin e tij të 147-të. Dhe, sikundër çdo veprimtari madhore, edhe kjo supersfidë, që është e vlefshme për javën e 13-të të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit dhe do luhet në Stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet, do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 18:00. Sa i përket bilancit historik të këtyre përballjeve, që kanë nisur më 1947-tën, flet më shumë për të kuqtë të cilët kanë fituar 60 prej sfidave, kundrejt 40 ndeshjeve të fituar nga rivalët bardhë e blu të kryeqytetit, ndërsa 46 takimet e tjera janë mbyllur me barazim. Edhe golaverazhi flet për Partizanin, që ka shënuar 212 gola në këto 146 ndeshje, kundër 162 golave të realizuar nga Tirana. Në një mesatare, nuk ka qenë edhe aq i begatë në gola, me një mesatare prej 2.56 golash për ndeshje, ndërsa edhe i i varfër ka qenë ai në 12 përballjet e fundit, ku Partizani ka pësuar vetëm një humbje. Ndonëse tifozët e Partizanit do të mburrem me një bilanc më pozitiv në përballjet direkte, por edhe me faktin se Tirana nuk i mund që nga 7 shkurti i 2014-s, thënë ndryshe, prej 1028 ditësh, tifozët bardhë e blu theksojnë në krahun tjetër se skuadra e tyre është superiore ndaj të kuqve sa i përket trofeve të fituar. Tirana është 24 herë kampione, kundrejt 15 titujve të Partizanit, ndërsa të dyja skuadrat e kanë fituar nga 15 herë Kupën e Shqipërisë, dhe Tirana e ka fituar10 herë “Superkupën”, ndërsa Partizani vetëm një herë. Megjithatë, të dyja palët e kanë të qartë që të gjitha këto statistika vlejnë pak sonte, kur Partizani vjen në vendin e 3-të të renditjes, me 23 pikë, ndërsa Tirana të 4-tin, me 2 pikë më pak. Renditjen e “Kategorisë Superiore” e kryesojnë Kukësi dhe Skënderbeu, me nga 27 pikë secila. Të dy trajnerët, Mirel Josa dhe Sulejman Starova, nuk kanë mungesa madhore për sfidën e sotme dhe pritet të fusin në fushë formacionin e tyre më të mirë, në një ndeshje që ka jo pak ndikim sa i përket ecurisë së mëtejshme të dy rivaleve kryeqytetase në duelin për titull. Derbi i sotshëm do të gjykohet nga Lorenc Jemini.