KRYEFAQJA » LAJME » Euro 2016 » Detaje të shortit të fazës finale të UEFA EURO 2016
Detaje të shortit të fazës finale të UEFA EURO 2016

Detaje të shortit të fazës finale të UEFA EURO 2016

Njëzetekatër skuadrat pjesëmarrëse, pjesë e të cilave është edhe Shqipëria, do të ndahen në gjashtë grupe me nga katër skuadra nëpërmjet shortit. Faza finale do të fillojë të premten me 10 qershor 2016 dhe do të arrijë kulmin në finalen e së dielës 10 korrik 2016 në Stade de France.

Njëzetetre skuadrat e kualifikuara do të ndahen në katër vazo në bazë të koefiçentit të UEFA-s për kombëtare, me Spanjën, kampione Europe në fuqi, që është në vazon e parë. Franca nuk është në asnjë vazo sepse futet si skuadra A1, për këtë vazoja një është e përbërë nga pesë skuadra.

Shorti hidhet sot në Pallatin e Kongreseve në Paris në orën 18:00. Skuadrat do të ndahen nëpërmjet shortit në gjashtë grupet me nga katër skuadra, nga Grupi A deri në Grupin F. Shorti fillon me vazon e parë. Një prej topave tërhiqet me short dhe skuadra vendoset në vendin B1 të Grupit B, pastaj vazhdohet me topin e dytë skuadra e së cilës vendoset në vendin C1 të Grupit C, dhe kështu vazhdohet deri në Grupin F.

Shorti vazhdon me vazon e katërt, ku ndoshet edhe Shqipëria. Një top tërhiqet me short dhe skuadra vendoset në Grupin A. Vendi se ku do të vendoset kjo skuadër (A2, A3 apo A4), përcaktohet me short. Një top i dytë tërhiqet nga vazoja e katërt dhe vendoset në Grupin B. Edhe në këtë rast vendi Brenda Grupit B (B2, B3 apo B4), përcaktohet me short. E njëjta gjë përsëritet për të gjitha skuadrat e vazos së katërt.

Shorti vazhdon me vazon me vazon e tretë dhe përfundon me vazon e dytë. Çdo herë që tërhiqet një skuadër, vendi i saj në grup përcaktohet nëpërmjet shortit në të njëjtën mënyrë si vazot e mësipërme. Dy skuadrat e para të çdo grupi dhe katër më të mirat e vendeve të treta kualifikohen në fazën me eliminim të drejtpërdrejtë.

Ja dhe ndarja e skuadrave në vazo:

Vazo 1: Spanjë, Gjermani, Angli, Portugali, Belgjikë.
Vazo 2: Itali, Rusi, Zvicër, Austri, Kroaci, Ukrainë.
Vazo 3: Republika Çeke, Suedi, Poloni, Rumani, Sllovaki, Hungari.
Vazo 4: Turqi, Irlandë, Islandë, Uells, Shqipëri, Irlandë e Veriut.