KRYEFAQJA » LAJME » Dhunë në protestën e PD, Veliaj: Janë kalamaj frikacakë!
Dhunë në protestën e PD, Veliaj: Janë kalamaj frikacakë!

Dhunë në protestën e PD, Veliaj: Janë kalamaj frikacakë!

PD ka radikalizuar të hënën qëndrimin e saj duke përdorur forcë në protestën e thirrur për të kundërshtuar një kënd lojrash për fëmijë në Parkun e Liqenit Artificial të Tiranës. Deputetët e saj ndërhynë me forcë ndaj policisë e cila kishte rrethuar zonën ku po punohej. Gjatë përleshjes, disa protestues, por edhe pjestarë të forcave të policisë janë plagosur. Ka patur ndalime nga ana e forcave të rendit, midis tyre edhe një ish deputet i opozitës, aktualisht biznesmen i njohur. Kjo situatë ka çuar në reagimin e ashpër të PD, e cila lëshoi deklarata tërësisht politike. Ajo akuzoi policinë për përdorim të pashembullt të dhunës dhe ndalim të njerëzve të opozitës, sipas saj në mënyrë banditeske. Kreu i PD Lulzim Basha tha gjatë një deklarimi në selinë e partisë se oligarkia e Ramës nuk do të ndalojë dot pranverën demokratike. Zoti Basha shkoi personalisht para Drejtorisë së Policisë së Tiranës për të mësuar rreth fatit të të ndaluarve.
Nga ana e tij kreu i Bashkisësë Tiranës Erion Velia u gjet pranë policëve të plagosur në Spitalin e Traumës. “Bashkia është në krye të detyrës” tha ai ndërsa i quajti deputetët e PD “kalamaj frikacakë që marrin armë kundër grave”. Zoti Veliaj tha se deputet e PD do të ndiqen edhe penalisht.
Ngjarjet e tensionuara të së hënës vijnë në prag të mbërritjes në Tiranë të komisionerit për Politikat Fqinjësore dhe Negociatat për Zgjerimin Johanes Hahn, i cili bashkë me kryeministrin Edi Rama do të drejtojnë tryezën e dialogut të nivelit të lartë mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë, që do të diskutojë përmbushjen e deritanimshme të pesë prioriteteve të Shqipërisë.