KRYEFAQJA » LAJME » Dhuro gjak, shpëto jetë!

Dhuro gjak, shpëto jetë!

Për fëmijët dhe të rinjtë me talasemi, plotësimi i nevojave për gjak, mbetet sfidë e përditshme në një realitet të vështirë. Ndonëse fushatat e dhurimeve vullnetare zgjidhin krizat e momentit, ajo për të cilën ata kanë nevojë, është dhurimi vullnetar dhe periodik i një shoqërie të ndërgjegjësuar.
Fatmira Ismaliaj, rreshtere në rradhët e ushtrisë shqiptare, është një nga të paktët e kësaj pjese të shoqërisë që këtë gjë e bën enkas për këta femijë në bashkëpunim me Kryqin e Kuq Shqiptar. “Motivi im kryesor është se sa herë kam parë lajmet në televizor për fëmijet talasemikë, unë si nënë jam frymëzuar vetëm nga kjo. Do të jap deri sa të kem mundësi” thotë Fatmira për TVSH. Ajo dhuron gjak dy herë në vit dhe këtë gjë e bën prej 10 vitesh. “Nuk dua të shikoj fëmijë të sëmurë. Eshtë kënaqësi e madhe kur shpëton një jetë njeriu” shprehet Fatmira.
Me të njëjtën ndjeshmëri, por me forca më të shumta në numër është edhe përpjekja e mjekut Skerdi Faria, i cili në bashkëpunim me kryqyn e kuq ka rekrutuar pacientë të tij nëpërmjet thirrjeve në Facebook për të dhuruar gjak. “Që në janar të 2016, më lindi ideja bashkë me Kryqin e Kuq Shqiptar, që të bëjmë një bashkëpunim për të rekrutuar, për të sensibilizuar njerëz të tjerë për dhurimin e gjakut” kujton doktor Faria. “Ato pak litra që kam dhuruar unë nuk mjaftojnë. Duhen me mijëra litra të njerëzve të tjerë që të dhurojnë rregullisht. Kemi nevojë për njeri tjetrin. Kur unë dhuroj sot për dikë që nuk njoh, nesër dikush që nuk më njeh do të dhurojë për mua kur të kem nevojë” thotë mjeku Skerdi Faria, tashmë dhurues gjaku. Ai nënvizon se sipas OBSH-së, 1 në çdo 3 persona ka nevojë gjatë jetës së tij për gjak të dhuruar.
Kryqi i Kuq Shqiptar arrin të mbledhi rreth 7500 dhurime vullnetare në vit. Por për të mbuluar nevojat me gjak të individëve me talasemi në Shqipëri duhen mbi 30 mijë njësi gjak në vit, ndërkohë që arrijnë të mblidhen vetem 25 përqind e kësaj sasie.