KRYEFAQJA » LAJME » Dibër, skandali i seksit, arrestohet ish kryebashkiaku
Dibër, skandali i seksit, arrestohet ish kryebashkiaku

Dibër, skandali i seksit, arrestohet ish kryebashkiaku

Ish-kryetari i Bashkisë së Dibrës, Shukri Xhelili u arrestua të hënën në mbrëmje, njoftoi policia. Sipas saj arrestimi u bë pasi Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur për të masën e sigurisë “arrest me burg” për akuzën e korrupsionit pasiv në formën e kërkimit të favoreve seksuale në këmbim të një vendi pune në strukturat e varësisë së bashkisë së Dibrës. Javën e kaluar Xhelili u vu në fokusin e një skandalit pasi televizioni “Ora News” publikoi një video ku kryebashkiaku shihej në shoqërinë e një femre si në zyrën e  tij ashtu dhe në dhomën e një hoteli. Qeveria e shkarkoi menjëherë nga detyra, por ngjarja u komentua menjëherë nga opinioni dhe më shumë nga politika e cila nxitoi t’a përdorte për interesat e saj. Vetë Xhelili në disa dalje të rezervuara për mediat e konsideroi si një kurth nga administrata e bashkisë. Tashmë pritet që në Bashkinë e Dibrës të zhvillohen zgjedhjet e reja për kreun e saj. Shukri Xhelili, i përzgjedhur nga maxhoranca e majtë, erdhi në krye të Bashkisë së Dibrës në qershor 2015, pas tre mandatesh të drejtuara nga Ilir Krosi i PD. Rezultati i ngushtë i atyre zgjedhjeve, si dhe ngjarja e fundit e konsideruar si skandal seksual, i ka bërë optimistë demokratët se mund ti fitojnë zgjedhjet. Sipas tyre kjo do të jetë dhe një goditje për qeverinë Rama, për mënyrën se si ajo po qeveris vendin. Por maxhoranca nga ana e saj thotë se pavarësisht ngjarjes së fundit, njerëzit edhe në Dibër do të vlerësojnë reformat rrënjësore  të qeverisë.