KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Dilema britanike: Të jesh a të mos jesh?

Dilema britanike: Të jesh a të mos jesh?

Nisi në mëngjes në mbarë Mbretërinë e Bashkuar votimi përmes të cilit do të vendoset nëse Britania e Madhe do të mbetet ose jo në Bashkimin Evropian. Është ky referendumi i parë për lidhjet e vendit me Evropën në më shumë se katër dhjetëvjeçarë. Për muaj të tërë, politikanët e të dyja kampeve, pro dhe kundër, kanë bërë përpjekje të ndikojnë 46.5 milionë votuesit e ligjshëm. Pjesa më e madhe e debatit është zhvilluar rreth ekonomisë, emigracionit dhe asaj që disa e kanë perceptuar si kontroll burokratik të BE-së mbi çështjet e brendshme të shteteve anëtare. Një mesatare e sondazheve te kryera ka treguar se kampi pro mbetjes në BE është në epërsi të lehtë me 51 për qind ndaj kampit që dëshiron daljen me 49 për qind. Çështja doli në pah në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të kaluar, kur kryeministri Cameron premtoi referendum për anëtarësinë në BE nëse rizgjidhet. Pohimi i tij erdhi pas thirrjeve nga gjithë krahët politikë se vendi nuk ka mbajtur konsultim publik për këtë çështje prej më shumë se 40 vjetesh. Britania ka qenë një nga shtetet e para anëtare të BE-së. Ajo u anëtarësua në 1973 dhe në atë kohë mbështetja për anëtarësim ishte 67%. Përfundimi i referendumit të sotëm, nëse votohet pro daljes nga BE-ja, do ta detyrojë parlamentin britanik të shfuqizojë ligjet që e futen Britaninë në bllokun e përbashkët. Qendrat e votimit mbyllen në orën 21:00 sipas kohës lokale, ora 22:00 me orën tonë. Rezultatet zyrtare priten mëngjesin e së premtes.