KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Dino Mustafic, regjisori i lirisë

Dino Mustafic, regjisori i lirisë

I lindur në Sarajevë në një familje të përzier shqiptaro-boshnjake, Dino Mustafiç është sot një nga emrat më të kërkuar të teatrit jo vetëm në ballkan por edhe në eksportimin e historive ballkanase në Europë. Ai prej disa ditësh ndodhet në Shqipëri për vënien në skenë të vepres EQUUS shkruar nga Peter Schafer me aktorët e njohur shqiptar Timo Flloko, Ema Andrea, Luli Bitri dhe Lulzim zeqja.

“Equus është një komedi kontraverse e cila flet për shpirtin dhe lirinë. Dhe teatri ta jep këtë mundësi dhe më pëlqen të eksploroj dhe jam shumë i kënaqur që po punoj me aktorët shqiptarë” tha regjisori Mustafiç. Ai tha se “Teatri është një mikrokozmos dhe nuk mund të presim nga ajo që të ndërtoje urat që ne i kemi shkatërruar këto 20 vitet e fundit. Por teatri në Ballkan tregon se ne kemi më shumë gjëra të përbashkëta se sa gjëra që na ndajnë”.

Mustafic rendit në CV e tij profesionale regjinë e autorëve të mëdhenj klasikë nga Shekspir tek Ionesko, nga Sartri tek Molieri gjithnjë i etur për të gjetur ekuilibrin mes Etikes dhe estetikes në Art. “Kur në Bosnje ndodhte lufta unë isha 22 vjeç dhe prehja ime ishte teatri. Prej asaj kohe i falenderohem teatrit sepse më ka mësuar se nuk është hendikap të jesh ndryshe dhe katarsisi është gjithmonë personal. Dhe përkushtimi im për teatrin është se do të përkrah gjithmonë teatrin që rrëfen të drejtën, të vërtetën dhe tolerancen. Sepse teatri për mua ka një vlerë estetike por gjthmonë bazuar në një kontekst etik. Estetika ime tregon bindjen time etike” theksoi më tej Mustafiç.

Ndërsa për teatrin perceptuar si liri ai shprehet: “Hapat e mia në teatër kanë qënë gjatë kohës së luftës e cila ka qënë një përvoje radikale e jetës dhe vdekjes. Dhe në atë vizën e hollë midis jetës dhe vdekjes ekziston hapësira e teatrit si purgatori i Dantes ku në me të vërtetën e poezisë dhe kthjelltësinë e shpirtit mund ta pastrojmë mendjen dhe shpirtin tonë” shtoi më tej regjisori i mirënjohur.

Equus vjen premierë për publikun në Teatrin Kombëtar me datë 17 Mars.