KRYEFAQJA » LAJME » Dita Botërore e Dhurimit të Gjakut, Rama: Shprehje solidariteti, e barabartë me një jetë

Dita Botërore e Dhurimit të Gjakut, Rama: Shprehje solidariteti, e barabartë me një jetë

Ditës së dhurimit vullnetar të gjakut iu bashkua edhe kryeministri Edi Rama dhe stafi i kryeministrisë. Kryeministri apeloi për të mbështetur njerëzit në nevojë për gjak dhe veçanërisht fëmijët talasemikë. Njësia e lëvizshme e Kryqit të Kuq u vendos në qendrën COD në kryeministri, ku nga viti në vit shtohen dhuruesit e gjakut.
“Në fakt është një shprehje e domosdoshme solidariteti, por është një nga ato shprehje solidariteti, ku jo vetëm përfitojnë ata që janë nevojë, por përfitojnë edhe ata që japin gjak, sepse është një proces shumë i shëndetshëm për organizmin. Kështu që, arsyeja pse unë i bëj thirrje të gjithëve të japin gjak, është se duke pasur parasysh aq shumë fëmijë dhe aq shumë njerëz që kanë nevojë jetike për gjak, mundet që në të njëjtën kohë të bëjnë një proces të dobishëm për organizmin e tyre. Jam shumë krenar që ne e kemi këtë traditë shumë të vjetër, që nga koha e Bashkisë së Tiranës, vazhdojmë ta bëjmë dhe aq më mirë akoma që rritet numri i atyre që vetëdijesohen. Kështu, në ndryshim nga viti i parë, këtu e gjithë administrata e ka kuptuar që duke dhënë gjak, faktikisht bën një akt shumë të rëndësishëm për njerëz dhe në radhë të parë për fëmijët në nevojë jetike.”
Ndërsa përfaqësuesja e Kryqit të Kuq, Angjelina Pulluqi tha: “14 qershori është Dita e Dhurimit Vullnetar të Gjakut. Për këtë vit janë mbledhur në rang vendi 3000 qese dhe vetëm nga Tirana 1500. Do të përfitoja nga rasti t’u bëja një thirrje njerëzve të shëndoshë që kanë mundësi të dhurojnë gjak, që është një veprim human, është një shpëtim jete, është një buzëqeshje për një fëmijë talasemik dhe do t’i ftoja të gjithë t’i bashkohen thirrjes sonë për të dhuruar gjak dhe për të shpëtuar jetë. Më vjen mirë që 14 qershori si shumë herë të tjera finalizohet pikërisht në Kryeministri.”
Për kryeministrin Rama, këto janë ditët e solidaritetit njerëzor me ata për të cilët ky akt dhurimi është mbështetje dhe solidaritet për jetën.