KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Dita botërore e fotografisë
Dita botërore e fotografisë

Dita botërore e fotografisë

Nëse ka një shpikje të njeriut që ka ndikuar jetën e të gjithë brezave pa dallim që prej kohës kur ajo është shpikur, kjo shpikje është fotografia. Sot kur imazhet dublikojnë njëri-tjetrin dhe shumëfishohen me shpejtësinë e dritës të kthesh sytë pas në histori bëhet një rrugëtim ekzotik dhe gjenial. Sot është 177 vjetori i ditës botërore të fotografisë, çasti kur njerëzimi shpalli pagëzimin e vizatimit me dritë që do të krijonte një evolucion të mënyres si njeriu e sheh vetveten dhe botën përreth. Historia e botës së paku ajo që njohim nga viti 1839 e këtej në shumicë na vjen e vizatuar përmes dritës nga shpikja gjeniale e camera obscura- dhomës së errët. Një revolucion teknologjik dhe mendësor i njerëzimit për të fiksuar në film natyrën, portrete njerëzore, ceremoni, emocione të bukura, dashuritë por edhe pështjellime luftërash dhe imazhe të tmerrshme të anës tjetër të medaljes së njerëzimit.

Me revolucionin dixhital fotografimi dhe fotot janë bërë një nga hobitë më praktike të njeriut aq sa profesionistët mbase nuk do ta kishin dëshiruar një mundësi të tillë kaq të përhapur. Teksa vëllezërit Lumiere bënin revolucion dhe evolucion në përceptimin e imazhit në botë, Shqipëria kishte që prej vitit 1858 rapsodet e saj të dritës, dinastinë e Marubeve nga puna e të cilëve sot zotërojmë më shumë se 500 mijë imazhe të Shqipërisë së vjetër. Mjeshtrat e dritës nën siglën Marubi në Shkodër krijuan bazën e asaj historie të fotografisë që mund ta rendise edhe vendin tonë në një pozicion të nderuar në historinë botërore të këtij arti që rri pranë njeriut më shumë se çdo art tjetër.