KRYEFAQJA » LAJME » Dita ndërkombëtare kundër HIV-AIDS
AIDS, shqetësim për tendencën në rritje

Dita ndërkombëtare kundër HIV-AIDS

Më 1 dhjetor, Ditën Botërore kundër HIV-AIDS (SIDA), Shqipëria u bashkohet vendeve të mbarë botës, për të luftuar “Sëmundjen e shekullit”. E vendosur që në vitin 1988, 1 dhjetori i çdo viti është një ditë reflektimi dhe përpjekjesh, jo vetëm për të ndihmuar njerëzit e prekur nga virusi HIV, por edhe për t’u angazhuar në luftën kundër përhapjes së mëtejshme të këtij virusi vdekjeprurës. Në Shqipëri, i sëmuri i parë me SIDA është konstatuar në vitin 1993. Që nga ajo kohë e deri tani janë regjistruar afro 800 persona, mbi 140 e të cilëve kanë humbur jetën. Ekspertë të sëmundjeve infektive vlerësojnë se ndonëse gjatë 5 viteve të fundit është vënë re një tendencë për rritje të numrit të rasteve, falë trajtimit mjekësor është bërë e mundur që të ulet vdekshmëria e të sëmurëve. Ata vazhdojnë të bëjnë thirrje për rritjen e kujdesit shëndetësor si dhe testimit vullnetar. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rreth 35 milionë njerëz në mbarë botën jetojnë me virusin HIV, ndërsa 1.5 milion kanë humbur jetën për shkak të sëmundjeve që lidhen me të.