KRYEFAQJA » LAJME » Dita Ndërkombëtare kundër Homofobisë

Dita Ndërkombëtare kundër Homofobisë

“Duhet kurajo jo vetëm për të pranuar prirjet e tua, por edhe për të qënë mbështetës i kauzës së LGBT”. Pikërisht mbi këtë aksiomë Aleanca Kundër Diskriminimit LGBT dhe të Bashkuar Pro Kauzës LGBT kanë shpërblyer për kurajon e tyre aktivistë, gazetarë dhe të rinj vullnetarë me çmimet “Aleat i Vitit” në një ceremoni të organizuar në COD për mbështetësit e çështjeve LGBT gjatë 2015. Takimi zhvillohej në kuadër të 17 Majit, Ditës Ndërkombëtare kundër Homofobisë, me praninë e përfaqësuesve të institucioneve të të drejtave të njeriut, shoqërisë civile, mbështetësve të lëvizjes dhe komunitetit ndërkombëtar. Aktiviteti u hap me shfaqjen e dokumentarit “SkaNdal”, i pari për lëvizjen LGBT në Shqipëri i cili sjell në vëmendje të shoqërisë të ashtuquajturit “qytetarë të dorës së dytë”, me apelin për të drejta të barabarta për të gjithë. Me çmimin Aleat i vitit u vlerësuan këngëtari i Rokut Bojken Lako, gazetarët Alba Malltezi dhe Ola Bruko së bashku me dy përfaqësues të Korpusit të Paqes.