KRYEFAQJA » LAJME » Shqipëria, iniciatore e aktivitetit kundër terrorizmit në Nju Jork

Shqipëria, iniciatore e aktivitetit kundër terrorizmit në Nju Jork

Angazhimet dhe kontributi shqiptar në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm u paraqitën nga Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati në aktivitetin e zhvilluar në Nju Jork me inciativë të Shqipërisë për luftën kundër radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm përmes edukimit. Në fjalën e mbajtur në këtë aktivitet, Ministri Bushati u ndal në hapat shtesë që po merren nga vendi ynë për parandalimin e shkaqeve të radikalizmit, një çeshtje kjo që po adresohet sidomos me futjen në programet mësimore të tolerancës fetare. Sipas Bushatit, arsimi është ndoshta veprimi më i plotë dhe afatgjatë, ku qeveritë duhet të investojnë për të ndërtuar breza të ardhshëm të fortë dhe rezistentë në përballimin e kërcënimeve të tilla. Pas takimit, Ministri Bushati e vuri theksin dhe tek puna që po bëhet edhe me komunitetet fetare në këtë drejtim, ndërsa nuk la pa përmendur faktin që këtë vit asnjë shtetas shqiptar nuk ka rezultuar të jetë regjistruar si luftëtar ekstremist. Aktiviteti Lufta kundër radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm përmes edukimit” u zhvillua gjatë punimeve të Asamblesë së përgjithshme të “Organizatës së Kombeve të Bashkuara”.