KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » “Don Kishoti” vjen në Teatër Kombëtar

“Don Kishoti” vjen në Teatër Kombëtar

“Don Kishoti” nga Miguel de Cervantes, është pa dyshim joshje e të gjithë artistëve e sidomos aktorëve dhe regjisorëve të teatrit për ta vënë një herë në skenë. “Don Kishoti” erdhi në Shqipëri në skenën e teatrit kombëtar në trupin e aktorit Romir Zalla, bashkë me të edhe Sanco Panco interpretuar nga Gentjan Zenelaj. Në regjinë e Klajd Ymerit prova gjenerale duket se ka kaluar me sukses, duke sjellë një freski në trajtimin e personazheve edhe nga ana estetike dhe konceptuale.

Ndërsa Skena dhe kostumet i ishin besuar Desantila Likes dhe Muzika: Kristi Popes, kasti i aktorëve solli në skenë interpretimin dinamik të Romir Zalla, Gentjan Zenelaj, Albana Sançolli, Gert Ferra, Amos Zaharia, Laert Vasili, dhe me pjesëmarrjen speciale të sopranos Arlinda Morava .

Don Kishoti është një mesoburrë zotëri nga La Mancha, Spanja qëndore, i fiksuar pas idealeve kalorsiake të lexuara në librat e tij. Ai një mbrëmje vendos të marrë shpatën dhe heshtën e tij dhe të dalë në mbrojtje të së drejtës duke gjunjëzuar të paudhët dhe dallaverexhinjtë. Në udhëtimet e tij të çmendura në mbrojtje të së drejtës ai shoqërohet nga fshatari besnik Sanço Pança. Në këmbim të shërbimeve të tij Don Kishoti i ka premtuar ta bëjë guvernator të ishullit të parë që do të pushtojë. Kështu Don Kishoti kalon një kalvar rrugëtimi për t’u kurorëzuar kalorës dhe për të fituar zemrën e të bukurës Dulqinjë të Tobozës.