KRYEFAQJA » LAJME » Donald Lu paralajmëron: Luftë të ashpër ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit
Donald Lu paralajmëron: Luftë të ashpër ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit

Donald Lu paralajmëron: Luftë të ashpër ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit

Ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu ka paralajmëruar një luftë të ashpër ndaj krimit dhe korrupsionit në Shqipëri, pasi ka shprehur shqetësimin e tij për nivelin e lartë të përhapjes së tyre në vendi. Duke folur të mërkurën në “Konferencën për Luftën Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar”, zoti Lu e ka krahasuar situatën në Shqipëri me atë në Gjeorgji dy dekada më parë. “Në Gjeorgji ishte një grup shumë i fuqishëm që zhvillonte aktivitet kriminal, një grup i armatosur që mbante uniforma. Në Shqipëri ka akuza për krimin e organizuar prej vitesh, akuzapër vrasje, korrupsion, trafik. Me të këtë dua të nënvizoj se niveli i korrupsionit në Shqipëri është i lartë” tha ambasadori amerikan. “Ka kriminelë të fuqishëm që kanë kryer vrasje. Duhet të përballemi me këtë problem, siç bëri Amerika dy dekada më parë në Gjeorgji. U arrestuan shumë persona, u sekuestruan miliona dollarë. Kjo organizatë kriminale meritonte të ndëshkohej për lidhjet që kishte me policinë dhe pushtetin” shtoi zoti Lu.
Ambasadori amerikan në Tiranë, i cili ka këmbëngulur dhe mbështetur në krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, shprehu bindjen se ky institucion do ti japë një përgjigje të merituar të inkriminuarve.”Byroja e Hetimit që do të jetë një nga institucionet më të rëndësishme dhe ky është një angazhim, që SHBA-të do ta mbështesin duke dhënë ndihmën e tyre, asistencën e tyre, duke bashkëpunuar me autoritetet shqiptare”, tha më tej zoti Lu. Ai spjegoi se do të ngrihet një grup serioz i rëndësishëm hetimi, i cili do të trajnohet dhe mbikqyret nga agjentë të FBI. “Është në interesin e SHBA që Shqipëria të luftojë me sukses krimin e organizuar, por mbi të gjitha kjo është një reformë për shqiptarët, sepse ne duam ti mbështesim ata. Ne e dimë që Shqipëria do të jetë e suksesshme në këtë drejtim. Byroja Kombëtare e Hetimit do ta japë këtë rezultat duke luftuar krimin e organizuar” tha zoti Lu.
Ambasadori amerikan në Tiranë nuk nguroi të përmendëte emra. “Në Shqipëri ata që akuzohen si trafikantë të mëdhenj droge dhe bosa të krimit të organizuar rrallë përballen me drejtësinë. Një nga këto raste është ai i trafikantit Emiljano Shullazi, i cili prëj shumë vitesh është akuzuar për vrasje, trafik droge, por vetëm kohët e fundit u arrestua”. Zoti Lu tha se “Shqipëria ka nivelin më të ulët të dënimit të krimeve të rënda në Europë dhe problem është mosndëshkueshmëria, pasi bosët e krimit nuk dënohen për shkak të lidhjeve që kanë me njerëzit e drejtësisë”. Ndërsa ju referua historisë të të famshmit Al Kapone në Amerikë, i cili kishte hedhur sistemit të drejtësisë falë lidhjeve që kishte me policinë, drejtësinë dhe bashkinë, zoti Lu tha se “Edhe në Shqipëri situata është serioze”. “Por unë besoj se reforma në drejtësi dhe proçesi i dekriminalizimit do të ndihmojë për përmirësuar problemin e mosndëshkueshmërisë dhe të zhdukë lidhjet me politikën” shprehu shpresën ambasadori amerikan. “Shqiptarët janë të ngopur me kriminelët dhe politikën. Përpjekjet e suksesshme për të hequr vrasësit, trafikantët dhe përdhunuesit nga parlamenti dhe organet vendore do të kenë një efekt në uljen e mosndëshkueshmërisë për bosët e krimit. Është ky edhe një paralajmërim për të gjithë kriminelët e tjerë që do ti bashkohen politikës, pasi krimet e tyre do të dalin në dritë të diellit dhe ata do të futen direkt dhe në burg”, paralajmëroi ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu.