KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Donald Trump tërhiqet nga marrëveshja e Trans-Paqësorit
donald-trump, shba, trans-paqesori, marreveshja, partneritet, terheqja e shba

Donald Trump tërhiqet nga marrëveshja e Trans-Paqësorit

Presidenti i zgjedhur, Donald Trump, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara do të heqin dorë nga marrëveshja tregtare e Partneritetit Trans-Paqësor, në ditën e tij të parë në Shtëpinë e Bardhë. Lajmërimi i Trump erdhi përmes një video-mesazhi, ku republikani nenvizoi qëllimet e tij primare sapo ai të marrë zyrën në janar. Kjo marrëveshje është nënshkruar nga 12 vende, të cilat së bashku mbulojnë 40% të ekonomisë botërore. Trump gjithashtu premtoi të reduktojë kufizimet që po minimizojnë vendet e punës në prodhimin e qymyrgurit, si dhe ndalimin e abuzimeve me vizat. Sidoqoftë, biznesmeni nuk preku të tjera çështje të diskutuara më herët prej tij, si ligji për shëndetin Obamacare, ose ndërtimi i murit kufitar me Meksikën, veprime të cilat ai kishte premtuar t’i zbatonte, sapo të merrte zyrën. Partneriteti Trans-Paqësor është një marrëveshje e arritur në 2015, nga vende si Shtetet e Bashkuara, Japonia, Kanadaja, Australia, Meksika etj, por nuk është ratifikuar ende nga vendet individuale. Reagimet mbi këtë deklaratë kanë qenë të menjëhershme. Kryeministri australian, Malcolm Turnbull, tha se Shtetet e Bashkuara, kishin marrë përsipër një angazhim të rëndësishëm strategjik me këtë marrëveshje. Kryeministri i Japonise Shinzo Abe u shpreh se marrëveshja do të jetë e pakuptimtë pa pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara. Ai shtoi se asnjë nga vendet nuk planifikonte të vononte ose të hiqte dorë nga procesi legjislativ edhe pas zgjedhjeve presidenciale amerikane, duke premtuar se Japonia do të angazhohet për të përmbushur procedurat e brendshme për ratifikimin sa më të shpejtë të paktit.