KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Donald Tusk reagoi sot pas deklaratës së ish-kryebashkiakut të Londrës

Donald Tusk reagoi sot pas deklaratës së ish-kryebashkiakut të Londrës

Boris Xhonson, kreu i fushatës për daljen e Britanisë nga Bashkimi Europian, tregoi amnezi politike me krahasimin absurd që ai i bëri Bashkimit Europian me planin e Adolf Hitler për të sunduar kontinentin. Kështu u shpreh Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk në lidhje me deklaratën e ish-kryebashkiakut të Londrës Xhonson, sipas të cilit, Bashkimi Europian ashtu si Hitleri synon bashkimin e Europës nën një autoritet të vetëm. “Kur dëgjoj se BE krahasohet me planet dhe projektet e Hitlerit, nuk mund të hesht. Argumente kaq absurde normalisht duhet të injoroheshin nëse nuk do ishin shprehur nga një nga politikanët më me influence të partisë qeverisëse në Britani”, tha Tusk, duke theksuar se Xhonson ka kaluar çdo kufi. Muajin e ardhshëm, britanikët do t’u drejtohen kutive të votimit për të vendosur nëse do të dalin apo jo nga blloku europian.