KRYEFAQJA » LAJME » Dorëhiqet Davutoglu
Dorëhiqet Davutoglu

Dorëhiqet Davutoglu

Kryeministri turk Ahmet Davutoglu ka deklaruar se do të dorëhiqet nga të gjitha postet në Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim, duke theksuar se nuk do të kandidojë më për kryetar partie në Kongresin që pritet të zhvillohet më 22 maj. Deklaratat e tij u bënë të enjten pas dite gjatë një bisedë me gazetarë, pas takimit që pati me Bordin Ekzekutiv Qendror të Partisë AK, duke vendosur që të tërhiqet nga të gjitha pozicionet drejtuese në parti dhe në pushtet.
Zoti Davutoglu tha se vendimi erdhi pas konsultimit me organet e partisë dhe presidentin Rexhep Taip Erdogan, me të cilin ka pasur jo pak përplasje muajt e fundit në lidhje me ndryshimet kushtetuese.
Ai tha se do të mbetet “mik përgjithmonë” dhe se “do të jem luajal deri në frymën e fundit” me Erdoganin, deklarata të njohura këto publike nga politikanët përkundër asaj ç’ka ndodh në prapaskenë.
“Unë nuk kam asnjë ndjenjë zhgënjimi apo keqardhjeje për marrjen e këtij vendimi”, tha Davutoglu.
“Ndryshimi i karrigeve është normal. Unë nuk dua të jem një kandidat në kongres,” shtoi ai. “Marrëdhënia jonë e besnikërisë me presidentin do të vazhdojë”, u zotua ai.
Duke komentuar largimin, Presidenti Erdogan theksoi se vendimi i Davutoglusë ishte tërësisht personal. “Urime! Është vendim i vetë kryeministrit “, tha Erdogan.
Një takim i rëndësishëm midis kryeministrit në ikje dhe presidentit Erdogan zgjati rreth 1 orë e 4 minuta në Pallatin Presidencial një ditë më parë.
Marrëdhëniet, sipas gazetës turke “Hyrriet”, thuhet se ka qenë tejet e tensionuar midis presidentit dhe kryeministrit.