KRYEFAQJA » LAJME » Dorëhiqet Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve
Dorëhiqet Drejtori i Përgjithshem i Burgjeve

Dorëhiqet Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve

Drejtori i Përgjithshem i Burgjeve, Artur Zoto ka dhënë dorëheqjen, bëjnë të ditur burime të besueshme informacioni. Në një letër drejtuar Ministrit të Drejtësisë, e cila botohet e plotë nga disa media, ai bën të ditur se arsyet e dorëheqjes janë personale dhe familjare. Zoti Artur Zoto e mbante këtë detyrë që prej afro tre vjetësh, dhe në letrën e tij shkruan se është angazhuar maksimalisht për kryerjen me përgjegjshmëri të lartë të detyrave funksionale në zbatim të akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi.
Por dorëheqja e tij duket se ka lidhje me ndalimin pak ditë më parë të zëvendës/drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve dhe 4 administratorëve të kompanive private. Ata akuzohen për një aferë korruptive që kishte lidhje me një tender të pak kohëve më parë për “Blerje bulmet dhe veze” me një një vlerë totale prej 22.6 milionë lekësh, prej të cilit zyrtari i lartë i burgjeve ka përfituar 2 milionë lekë.  Në një intervistë për RTSH pak ditë më parë, drejtori tashmë i dorëhequr Artur Zoto, tha se ngjarja është rast i izoluar. Ai u shpreh i gatshëm për të dëshmuar, duke premtuar se çdo praktikë e ndjekur në lidhje me tenderat e shpallur nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve do ti vihet në dispozicion hetimit.